E Diel, 1 Nëntor 2026

Adrian Paci dhe "një tortë për gjyshen"

01/04/2005  Artisti shqiptar, Adrian Paci, i cili prej vitesh jeton në Milano, do të hapë të parën ekspozitë në Pejë, në datën 2 prill, ekspozitë e cila do të jetë në dispozicion të publikut deri në datën 23, po të këtij muaji. Ekspozita organizohet nga galeria "EXIT" dhe Instituti për Arte Bashkëkohore, në qytetin e Pejës, në Kosovë, por edhe me mbështetjen e fondacionit kulturor gjerman "Kulturstifung Des Bundes". Kurator i kësaj ekspozite është Erzen Shkololli (kurator i "Onufri 2004", si edhe anëtar i jurisë ndërkombëtare të "Marubi 2005"). Ky prezantim i parë individual i Pacit në Pejë, realizohet me një video-instalacion të titulluar "Slowly" dhe fotografinë "Torta e gjyshes". Kuratori Shkololli, tha për "Metropol" se, "Adrian Paci do të prezantojë punë me një ndikim të lartë poetik, ku puna qendrore është perceptuar te video-instalacioni i titulluar 'Slowly', ku pasqyrohet një reflektim në dramat dhe tensionet e vogla, të cilat karakterizojnë jetën tonë të përditshme. Videoja është përqëndruar te një tryezë e shëmtuar për një drekë normale, ku rreth saj janë ulur një zonjë e moshuar dhe disa burra". Më pas në video prezantohet fakti se, burrat flasin vazhdimisht për veten e tyre, duke injoruar, pothuajse gjatë gjithë kohës gruan e moshuar, ku kuptohet qartë se ajo është gjyshja e tyre. Në vazhdim ngjarjet evoluojnë me ngadalë, ide që i mëshohet edhe nëpërmjet teknikave të përdorura me xhirim të ngadalësuar. E moshuara mendon për vete, ndjehet tërësisht e huaj dhe përpiqet të kuptojë çfarë ndodh dhe thuhet përreth saj. Ajo përpiqet vazhdimisht të kuptojë atë ç'ka thuhet, dhe kur as lëvizjet nuk e ndihmojnë të deshifrojë kodet e pakuptueshme, përpiqet të lexojë buzët e tyre. "Por asgjë nuk e ndihmon atë të kuptojë. Ajo shfaqet e izoluar, në ëmbëlsinë dhe thjeshtësinë e një gruaje që i përket një tjetër brezi, e vetmuar në dhimbjen e saj, e cila vjen duke u shtuar nga mungesa e komunikimit që kishte patur ndër vite", shpjegon Shkololli.

Paci ka lindur në Shkodër në vitin 1969 dhe prej vitesh jeton dhe krijon në Milano. Ekspozitat e tij vetjake janë të shumta, ku mund të përmendim të parën të hapur në Milano, me titullin "Shtëpi e ëmbla shtëpi" dhe për të vazhduar çdo vit në vende të ndryshme të Evropës, si Bullgari, Suedi etj. Ndërsa në ekspozita kolektive mund të përmendim pjesëmarrjen e tij në dhjetëra bienale, si Bienalen e Venecias, Bienalen e Seviljes e shumë të tjera, pa harruar edhe Bienalen e Tiranës, si edhe në një ekspozitë në Çikago, në ekspozita të ndryshme në Zvicër, në Nju-Jork, Berlin e shumë vende të tjera. Një artist me një reputacion të madh, krijimet e të cilit janë përzgjedhur nga disa prej kuratorëve më të njohur në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›