E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu. Rituali i dasmës, verë dhe mbjellje ullinjsh

01/04/2005  Në kuadrin e festimve të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, dje në Muzeun Historik Kombëtar u organizua një ceremoni dasme, që përsëriste ritualin e këtij gëzimi, sikundër zhvillohej në atë periudhë, ku u lidhën në kurorë 6 çifte dhe u mbollën 6 ullinj, me "dasmorë", zv.kryeministrin Dokle, pjesëtarë të trupit diplomatik e të ftuarit e tjerë

Mesa duket, "çështjen" Skënderbeu e ka marrë në dorë vetëm Muzeu Historik Kombëtar dhe drejtuesi i tij, Moikom Zeqo. Eshtë i vetmi institucion, i cili në këtë vit kushtuar 600-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Skënderbeut, po përpiqet të bëjë maksimumin, pasi institucionet e tjera (që kanë lidhje me këtë fakt, si Akademia e Shkencave etj.), janë ende të përgjumura, ose kanë ndër mend të zhvillojnë aktivitete vetëm jashtë kufijve të Shqipërisë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve të vetmuara me ideimin e Zeqos dhe i mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua dje ceremonia e pagëzuar si "Ullinjtë skënderbejanë". Një ceremoni dasme, sipas riteve të kohës së Skënderbeut. Nuk ka qenë një dasmë e vërtetë dhe as çiftet nuk ishin reale, por një performancë, e cila na shpuri 6 shekuj më parë në kohë, në një ritual dasme simbolik. Një performancë ku nuk mungonte as vetë heroi, Skënderbeu. Tingujt e këmbanës prezantuan heroin të shoqëruar prej ndihmësve të tij, i cili qëndroi në krye të sheshit dhe bekoi çiftet e rinj. Rituali nuk ishte një ceremoni fetare, me ungjij e fjalë të shenjta, por një shkëmbim kurorash, që Gjergj Kastrioti vendosi mbi kryet e vajzave dhe djemve, duke i lidhur kështu në martesë. Pasi bekoheshin nga kryezoti, çiftet e sapomartuar, të veshur me kostume popullore, merrnin në duar nga një fidan ulliri. Për të qenë sa më kuptimplotë në simbolikë, organizatorët kishin treguar kujdes edhe në numrat, pasi, kjo ceremoni e thjeshtë është përsëritur për të gjashtë çiftet. Gjashtë çifte, gjashtë fidanë ullinjsh, gjashtë shekuj (pasi me vitet 600, do të kishte shumë punë). Pas ceremonialit, vajza të veshura me kostume popullore kanë gostitur dasmorët me verë, që ashtu si dikur ishte servirur jo në gota qelqi, por në kupa druri. Me kupat e verës në duar dhe me Skënderbeun në krye, dasmorët (zv.kryeministri Namik Dokle, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik e të

pranishmit e tjerë), u drejtuan te lulishtja prapa Muzeut Historik Kombëtar dhe mbollën fidanët e ullinjve, duke kurorëzuar lidhjen e të rinjve, e cila rritet dhe forcohet si pemët e ullinjve. Rituali i dasmës është zhvilluar në një atmosferë festive, instrumentistët e Gardës së Republikës, Teatrit të Operas dhe Baletit dhe artistët e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, të veshur me veshje popullore, kanë interpretuar muzikë dhe valle popullore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›