E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregasi: Memorandum bashkëpunimi me Italinë

Bregasi dhe Valentini

BiznesAlbania dhe Ambasada Italiane duhet të kenë një memorandum bashkëpunimi. Këtë kërkesë ia bëri dje kreu i shoqatës, Luan Bregasi, sekretares së Parë të Zyrës Tregtare të Ambasadës së Republikës së Italisë, zonjës Raffaella Valentini. Me kërkesë të kësaj të fundit, përfaqësuesit e biznesit u takuan dje dhe diskutuan për rritjen e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve italiane në Shqipëri. Valentini, pasi falënderoi për pritjen, i përcolli Presidentit të BiznesAlbania përshëndetjen nga ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani dhe kërkesën e tij për një takim me Bregasin. Valentini, një njohëse e mirë e Shqipërisë, pasi prej katër vjetësh punon në Shqipëri, shprehu interesimin e saj për të gjetur partnerë shqiptarë në fusha të tilla, si ajo e energjisë, infrastrukturës, shërbimeve, teknologjisë së informacionit etj. Ne nuk jemi krijuar si një sindikatë e biznesit, por për të realizuar një mision të rëndësishëm, jo vetëm si institucion përfaqësues i biznesit dhe në mbrojtje e promovim të interesave të tij, por edhe për ti dhënë impuls zhvillimit ekonomik të vendit, theksoi Bregasi gjatë bashkëbisedimit. Presidenti Bregasi i kërkoi shefes së Zyrës së Tregtisë së Italisë në Shqipëri bashkëpunimin konkret nëpërmjet hartimit dhe nënshkrimit të një memorandumi të përbashkët, apo akti tjetër të ngjashëm mes Ambasadës dhe BiznesAlbania për të qenë më konkretë në bashkëpunimin dypalësh e madje, edhe caktimin e një Dite të Biznesit, si simbolikë e këtij bashkëpunimi potencial.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›