E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, OSBE: KQZ duhet të jetë teknike

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

Prezenca e OSBE-së në Tiranë kërkoi dje rikompozimin e KQZ.

Volfarth: Ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve.

Prezenca e OSBE-së në Tiranë kërkoi dje nga klasa politike rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shn-dërrimin e tij në një institucion teknik, larg influencave politike. Gjatë një prononcimi për mediat, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, pohoi se shndërrimi i KQZ-së në një institucion teknik do të ishte rasti ideal i kthimit të besimit tek institucioni zgjedhor. Diplomati i OSBE-së pohoi se përfundimi me sukses i reformës zgjedhore dhe dhënia e konsensusit për dy palët për shndërrimin e administratës zgjedhore në një institucion teknik, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të krijohet besimi midis partive, në mënyrë që KQZ-ja të funksionojë siç duhet dhe në mënyrë krejtësisht teknike. Kjo do të çlirojë akoma më shumë energji edhe për pjesë të tjera të procesit të vazhdueshëm të reformave shumë të rëndësishme, i cili, e theksoj, është shumë i rëndësishëm për integrimin europian. Tashmë është shumë e rëndësishme që të ruhet interesimi i qytetarit të zakonshëm dhe që koha të përdoret me eficiencë. Ju mund të keni lexuar ose dëgjuar se afati i Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore është shtyrë deri në fund të prillit për të dalë me propozime të hartuara bashkërisht për Kodin e ardhshëm Zgjedhor, theksoi Volfarth. Më tej, ambasadori kërkoi që ti jepet zgjidhje dhe listës së rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODHIR, të cilat nuk u reflektuan në Kodin Elektoral nga klasa politike që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Përmes Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve ka rekomanduar që të rishikohen në kuadrin e procesit të reformës së Kodit Zgjedhor. Tashmë, me përvojën e zgjedhjeve të kaluara dhe zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, del si detyrë përmirësimi i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që KQZ-ja të jetë në një pozicion më të mirë teknik për tu shërbyer qytetarëve, ku përfshihen sigurisht edhe partitë politike. Kjo duhet të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi, besimin se votat e tyre janë të rëndësishme dhe se ato numërohen siç duhet për një rezultat të besueshëm, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato vendore, theksoi kreu i OSBE-së në Tiranë.
Fletet gabim
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, përshëndeti dje dhënien e konsensusit midis palëve për zgjatjen deri në muajin prill të afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Kreu i OSBE-së pohoi se puna për përmirësimin e Kodit Elektoral duhet të vijojë dhe në drejtimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar. Përfshirja e të drejtës së barazisë së votës në ligj, edhe pse ajo mund të hidhet gabimisht në një kuti tjetër, sipas ambasadorit do të eliminonte politizimin dhe debatet në të ardhmen. Reforma e Kodit Zgjedhor është shumë e rëndësishme, para së gjithash për të dhënë një tablo të qartë teknike fotografike se çfarë duan zgjedhësit ditën e zgjedhjeve. Sidomos në zgjedhjet e fundit, situata ishte veçanërisht e ndërlikuar, për shkak se pati më shumë sesa një foto finish këtu në Tiranë, në kryeqytet, situatë që ngriti disa çështje të tjera të paparashikuara në Kodin Zgjedhor, si për shembull se çfarë duhej bërë me fletët e votimit të hedhura jo në kutitë e caktuara. Kjo tregon se disa çështje shumë teknike si hedhja e votave mund të politizohen në rastin e rezultateve shumë të afërta, duke ndikuar te rezultati, deklaroi Volfarth.

Apeli për reformat
Reforma parlamentare dhe reforma në sistemin e Drejtësisë janë cilësuar nga diplomati i OSBE-së, Eugen Volfarth, si dy detyrime për tu realizuar nga klasa politike shqiptare, çka do ti mundësonte marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ambasadori pohoi se ecuria e reformave dhe përmbyllja e tyre në një afat të kënaqshëm do ti krijonte vendit më shumë mundësi për të pasur progres të dukshëm në raportin e shtatorit.

LSI: PD-PS sduan të korrigjojnë gabimet

Zgjidhja më e mirë për barazinë e votës, 6 jo 12 rajone

Luan Rama

Lëvizja Socialiste për Integrim ashpërson tonet me dy partitë kryesore, PD-në dhe PS-në, duke kërkuar prej tyre që të lejojnë korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, shprehu dje shqetësim për çështjen e reformës zgjedhore. Në vlerësimin e tij, reforma nuk po respekton rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa dy partitë e mëdha PS dhe PD nuk kanë vullnet të korrigjojnë gabimet. Mesa duket palët apo 2 partitë që kanë monopolin e deformimit të sistemit dhe që kanë përgjegjësinë për atë çfarë kanë bërë, nuk kanë vullnetin të korrigjojnë gabimin që vetë kanë bërë. Në këto kushte Lëvizja Socialiste për Integrim e sheh të domosdoshëm, madje insiston, që palët të ngrihen mbi interesat partiake dhe ta vendosin të gjithë procesin e reformës në seriozitetin dhe në ritmin që kërkon garantimi i një procesi zgjedhor që në thelbin e vet të garantojë barazinë e votës, deklaroi Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon të korrigjohen zonat zgjedhore sipas Luan Ramës mund të ndryshohen zonat zgjedhore për të shkuar tek një numër më i reduktuar zonash. Zgjidhja më e mirë e mundshme që për të evituar diskriminimin apo pabarazinë e votës mund të shkonim tek një ndarje me një numër më të kufizuar rajonesh zgjedhore. Ndoshta numri 6 do të ishte zgjidhja më e pranueshme. Dëshiroj të këmbëngul në idenë që reforma zgjedhore duhet të fokusohet tek thelbi i deformimeve që kanë bërë të mundur pasojat që të gjithë i dimë dhe vullneti i palëve duhet të ketë në krye të punëve të veta garantimin e barazisë së votës dhe respektimin e votës e cila të kthehet pastaj në mandate përfaqësimi politik në Kuvend në përputhje me vullnetin e qytetarëve shqiptarë., u shpreh Luan Rama.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›