E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregdeti shqiptar, fluks turistësh "pa para"

KRIZA EKONOMIKE/ Nuk mund të flitet aq për një ulje të numrit të pushuesve sesa për faktin që ata nuk konsumojnë

Në qytetet kryesore bregdetare ka filluar të ndihet mungesa e parave nga personat që qarkullojnë në to


Numër i lartë pushuesish, por... nuk ka para. Kjo është ajo çka po ndodh me turizmin shqiptar, të paktën në bregdet.


Ndërsa nga pikat kufitare të vendit deklarohet një numër më i lartë i personave që kanë hyrë në Shqipëri, qofshin këta emigrantë shqiptarë apo të huaj, nga ana e drejtuesve të turizmit në qytetet bregdetare bëhet e ditur se është ulur shuma e parave që janë në qarkullim. Kështu, nëse më parë konsumoheshin pije të shtrenjta, tashmë ato kanë dalë nga përdorimi.


Njerëzit vrapojnë në supermarkete, teksa restorantet kanë filluar të mbajnë më shumë pjata të lira. Hotelet po braktisen dhe njerëzit po zgjedhin shtëpitë ku kanë mundësi të gatuajnë vetë. Por edhe në rastet kur janë në hotele, preferojnë të shkojnë tek "fast-food"-i përballë sesa t'i konsumojnë vaktet në restorantin në kat të parë.


E gjithë kjo bie ndesh me rritjen e numrit të turistëve, teksa jo pak ankohen se shteti nuk ka politika për turizmin, ndërsa pjesa zotëruese janë kosovarë e maqedonas (këta të fundit në rënie). Sa për turistë të pjesës së Evropës Perëndimore, është ende herët të flitet. Ata preferojnë fqinjët.


Në Vlorë numri i turistëve këtë vit është pak a shumë i njëjtë me vitin e kaluar. Por nuk shpenzojnë para. "Diskoja është plot, - thotë Albi S. që punon në një nga lokalet në zonën e Ujit të Ftohtë.


- Problemi është se nuk ka lekë. Nuk ka xhiro. Vitet e tjera dilje me goxha fitim në fund të ditës. Tani as që mund ta mendosh. Njerëzit konsumojnë maksimumi një pije dhe me atë rrinë gjithë natën". E ndërkohë mësohet se ka rënë edhe konsumi i pijeve të shtrenjta.


Pronarë lokalesh shprehen se është rritur konsumi i kafesë, ujit, si dhe pijeve të lira jo vetëm në kafenetë e zakonshme, por edhe në pabet e diskot verore. Sa për pijet e shtrenjta, ato thuajse kanë dalë nga qarkullimi, pasi askush nuk i blen. I njëjti problem është edhe me hotelet, ku pushuesit nuk preferojnë të konsumojnë ushqim brenda tyre.


Shumica e turistëve në Vlorë janë emigrantë shqiptarë, kosovarë, të cilët kanë rritje në numër, maqedonasit, rrallë grekë dhe italianë (të cilët më tepër vijnë për shkak të lidhjeve me emigrantët shqiptarë).


Ndërkohë, për këtë vit edhe turistët maqedonas duket se po shënojnë një rënie. Kjo për shkak të politikave që po ndjek shteti fqinj grek, i cili po promovon turizmin e vet pavarësisht problemeve që ka me Maqedoninë.


Burime nga drejtoria e turizmit shprehen se megjithëse numri i turistëve është pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, paratë që shpenzohen janë shumë më të pakta, duke bërë që numri i lartë i turistëve të mos ketë asnjë ndikim në turizmin në këtë vend.


Ndërkohë bëhet e ditur se është rritur numri i personave që praktikojnë turizmin ditor dhe që janë shkëputur nga pushimet dyjavore.


Dhe ky fakt mbështetet edhe nga drejtoria e turizmit në Sarandë. Prej tyre mësohet se pushimet tradicionale tashmë thuajse nuk janë më.


Për shqiptarët mund të flitet për pushime në një mesatare 8-10 ditë, ndërkohë që për të huajt për pushime 3-5 ditë. Qyteti jugor bregdetar ka një rritje të numrit të turistëve me 10% e megjithatë kjo nuk ka sjellë rritje të të ardhurave, madje mund të flitet për një pakësim. Kështu bëhet e ditur se turistët preferojnë më shumë shtëpitë sesa hotelet.


Në një sondazh të kryer nga bashkia ka rezultuar se puna në supermarkete është 3-4-fishuar, pasi njerëzit kanë zgjedhur tashmë të gatuajnë, duke iu larguar restoranteve dhe duke ulur punën në ta.


Kështu, nëse dikur nëpër restorante konsumonin peshkun e egër e të shtrenjtë, tashmë në to bëhen zgjedhje më të lira. Sa për rritjen e numrit mësohet se vetëm nga Korfuzi prurjet ditore kanë qenë rreth 10 mijë vetë, të cilët bëjnë vizita arkeologjike.


"Por ata nuk shpenzojnë asgjë, - thotë një nga personat që punon me të huajt. - Madje, nuk blejnë as një shishe uji. Thjesht vijnë, shkojnë të shohin Butrintin e pika të tjera arkeologjike dhe më pas largohen pa shpenzuar fare brenda ditës".

Njëkohësisht drejtues të linjave interurbane shprehen se ka një ulje të numrit të udhëtarëve krahasuar me vitet pararendëse. Të lidhur edhe me pronarë hotelesh ata shprehen se nëse dikur hotelet ishin plot, tashmë shumë prej të njohurve të tyre dalin dhe kërkojnë klientë.


"Në Durrës pronarët e shtëpive të nxjerrin sytë për të të ofruar një banesë", u shpreh një pushues, ndërsa duke bërë krahasimin me vitet e tjera thoshte se më parë nuk gjeje vende bosh. Tashmë Durrësi nuk e ka më gjallërinë e dikurshme, ku për të bërë aksin Plepa-Ura e Dajlanit të duhej të paktën një orë.


Shumë po zgjedhin turizmin ditor, të tjerë janë larguar më në jug, ndërsa edhe hapja e plazheve të reja ka qenë një faktor ndikues për këtë qytet, në plazhin e të cilit nuk vuan më për vend.


Sa për paratë e shpenzuara, duket se kriza ekonomike e ka dhënë efektin e vet. Pavarësisht dëshirës së mirë, kushdo që dikur mund të blinte dy birra, tashmë i duhet të konsumojë vetëm një.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›