E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejla në tri rrugë

Për kompozitoren Lejla Agolli, tri janë qëllimet e një artisti shqiptar: të jetë shqiptar, të jetë i kohës dhe të ketë efekt te publiku.


Ajo flet për tri ngjarje të vogla aktuale në jetën e saj: dalja në pension, çmimi në Festivalin e Këngës Qytetare dhe përgatitja e veprës simfonike për Nënë Terezën


Lejla Agolli shkruan muzikë serioze dhe ndonjëherë këngë popullore. Drejtoi prej vitit 2004 deri në prill të këtij viti, pragu i daljes në pension të gruas, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.


Një grua në të gjashtëdhjetat mund ta përfytyrojmë në kuzhinë tek grin me thikë domaten e njomë, ndërsa me mend grin kujtime të thata, po edhe para TV-së, në shëtitje pasdite, me fëmijën e fëmijës në krahë a në karrocë.


Nëse përfytyrimi duket diskriminues, atëherë të mendojmë për një grua me trup të vogël e të dashur prej gjallërisë, që shtrëngon çantën nën sqetull si grua e re që ka ngut, që thith cigare shumë, që portreti nuk i kalon në gjendje ekstreme, që rrudhat e bëjnë të bukur sepse ka punuar dhe jetuar për t'i pasur dhe për t'i vendosur me shumicë, në ballë, te sytë. Kjo grua i bën të gjitha ato që bën gruaja tjetër më sipër, por shkruan edhe muzikë.


Në pranverë dhe në verë të këtij viti, Lejla Agolli ndali në disa stacione: doli në pension, në korrik u shpall fituese e Festivalit të Këngës Popullore Qytetare organizuar në TV Klan, me këngën "Ah ky mall" kënduar nga Frederik Ndoci dhe së fundi ka përfunduar përpunimin e veprës simfonike "In Memoriam", kushtuar Nënë Terezës me të cilën do të konkurrojë për "Çmimin për krijimtarinë muzikore më të mirë".


Lejla Agolli, nxënëse e Çesk Zadejës, Tonin Arapit, Tish Daisë, në "Kompozicion" në Institutin e Lartë të Arteve, ka shkruar në 35 vjet simfoni, koncerte për piano dhe orkestrës, rapsodi për piano dhe orkestër, koncerte për violinë dhe orkestër, poema, fantazi, muzikë dhome, tablo koreografike, deri muzikë për filma multiplikativë.


Lejla, po ju urojmë pak vonë për çmimin që morët me këngën "Ah ky mall" në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare. Kënga po gëzon jehonë nëpërmjet internetit. Këngë emocionuese dhe e trishtueshme. Sa kohë u bë pa dalë në skenë me një këngë popullore?


Gjininë e këngës unë kam provuar rrallë për hir të së vërtetës, sepse kënga për mua është shumë e vështirë. Ndoshta mund të them që e kam më të lehtë të bëj një vepër simfonike se sa një këngë. Kënga ka katër rrjeshta dhe ato rrjeshta o duhet të jenë, o lëre fare. Kësaj radhe, ndoshta e godita materialin muzikor por që u bashkuan të gjithë komponentët: Frederik Ndoci, Gjok Beci me tekstin, fjalët shumë të bukura.


Teksti u bë shkas?


Më ngacmoi ideja e këngës që flet për Shkodrën dhe për shkodranët që janë larguar dhe sidomos më ngacmoi për gjërat e veçanta të Shkodrës.


Keni lidhje ju me qytetin?


Bashkëshorti im është nga Shkodra.

Dhe juve ju mungon prej vitesh ky njeri.
Prej vitit 1988... por që fëmijët e mi quhen shkodranë. Ç'është më kryesorja, për një profesionist të muzikës Shkodra është një pasuri, ka intonacione të mrekullueshme që sado të kërkosh, gjithmonë gjen pa fund.

Këngëtari juaj, Frederik Ndoci sikur rizbulon Shqipërinë e vjetër, Shkodrën qytetare. Një zë i rrallë, i duhuri për këngën.


Frederik Ndoci po e rigjen veten pas shumë vitesh i ikur nga Shqipëria. Por ai ka kënduar gjithandej ku ka shqiptarë dhe Shkodrën e ka për zemër. Mendoj se e këndon "Ah ky mall", në mënyrën më të ndjerë të mundshme.


Në këtë bashkëpunim mori pjesë dhe dora mjeshtërore e Shpëtim Saraçit dhe për të si muzikant, kam një stimë të veçantë.

Keni materiale të tjera të këngës qytetare?


Kam, janë më të hershme. Në këto vitet e fundit që kam qenë në Ansambël - tani, prej muajit prill jam në pension - si udhëheqëse artistike më binte detyra që të shkruaja diçka për Ansamblin, korale kryesisht. Mundohem të gjej motivin e bukur që ka efekt te publiku.

Mendimi i përgjithshëm është se kënga popullore dhe popullore qytetare është prishur dhe do duhet kohë të pastrohet nga influencat artificiale të motiveve që janë marrë lart e poshtë dhe keqpërdorur nga joprofesionistë.


Tranzicioni ynë nuk kishte se si të mos prekte edhe fushën e kulturës. Nga disa përvoja jashtë Shqipërisë ku jam paraqitur me vepra të miat, e shikoj që po ka nevojë publiku t'i kthehet prapëseprapë melodisë, pas eksperimentimeve "ultra moderne" po themi. Në këto aktivitete jam paraqitur me bazën, me temën shqiptare.


Mund të përmendni njërën?


Në vitin 2000 në festimet e Milleniumit, u shpall një konkurs nga fondacioni "Donne in musica" me qendër në Itali. M'u porosit një vepër për Nënë Terezën. Ndër shumë krijime, u luajtën vetëm 5, në Sala Nervi ku ishte i pranishëm edhe Papa Gjon Pali. Për mua ishte hera e parë që hyja në atë sallë. Ishte diçka që më emocionoi. Aty u recituan nga Paola Gazman disa vargje për paqen shkruar nga Nënë Tereza.


Çfarë vepre është?


"In Memoriam" për klarinetë solo dhe orkestër harqesh, u luajt nga Orkestra e Harqeve "Scarlatti" e Napolit. Aty gjen motivet shqiptare që e patën efektin nga ndeshja me këtë orkestër të harqeve. Mendoj se në punët e artit për një artist shqiptar, tri janë qëllimet: që vepra të jetë shqiptare, të jetë e kohës dhe të ketë efekt te publiku.


Jemi në vitin e Nënë Terezës, mendohet të organizohet një konkurs kushtuar asaj, një "Çmim për krijimtarinë muzikore më të mirë". Do të merrni pjesë?


Për Nënë Terezën është bërë tashmë në prill një koncert koral me 11 vajza të përgatitura nga Zana Turku me Orkestrën e Harqeve të Akademisë së Arteve. Masteri i CD-së është duke u punuar nga mjeshtri i filarmonisë së Vjenës Klemens Mayrhofer. E frymëzuar dhe nga ky koncert, vendosa ta rishoh veprën time "In Memoriam", t'i jap asaj një përmasë tjetër. E kam rishikuar vetëm për orkestër simfonike dhe mendoj të konkurroj me të te ky konkurs.


Me çfarë identifikohet kjo pjesë?


Shpesh ne e identifikojmë Nënë Terezën me lutjen. Unë jam munduar të kap dhe të shpreh përmes muzikës në "In Memoriam" atë gëzim që kanë ndjerë njerëzit aty ku kjo grua ka bërë bamirësi dhe çlirimi që është ndjerë aty ku ka ndihmuar të vobektit.


Si shkon jeta juaj në pension?


Jam e ndërgjegjshme që ka një cikël që fillon e mbaron. Energjinë dhe pasionin për të punuar i kam ndoshta me shumicë. Tani më mbetet më shumë kohë për krijimtari. Shpresoj të gjej mbështetje që të lëvroj muzikën që dua të bëj, muzikën simfonike.
Do doja të realizoja një recital me veprat e mia më të mira që janë vlerësuar me çmime dhe që më ka rënë të konkurroj me profesorë të mitë si Tish Daia, Fehim Ibrahimi, Shpëtim Kushta.


Me shoqatën "Gruaja në muzikë" filial i Fondacionit "Donne in musica" - s'jam marrë me të sepse mund të quhej konflikt interesash, - kam dëshirë të ngre një ansambël, pas përvojës që pata në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.


Si do të ishte modeli i kësaj trupe?


Një trupë mund të fillojë nga hiçi dhe të ketë balerinë me talent në atë formë që të jenë të pëlqyeshëm në skenë. Plus zërat: polifonia jonë s'ka nevojë për koment.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve është i vjetruar. Duhet të rishihet mosha e daljes në pension të artistëve. Kam vërejtur me ëndje se si këngëtare të reja që dalin nga Kantoja me ëndrrën për të hyrë në Opera, po i afrohen Ansamblit.


Fondi i dhënë për angazhimin e të rinjve me projekte, është gjëja më e mirë që bëri ish ministri i Kulturës Bujar Leskaj. Kemi artistë të mirë që mbushin sallat e botës, e për të mos i afrojmë me kontrata 1-vjeçare ose afatshkurtra. Ja me pak fjalë, këto do të bëja dhe nuk do bëja me trupën time.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›