Drejtori turk rreh punëtorin shqiptar, metalurgët hidhen në protestë

Rreth 200 metalurgë të kompanisë turke "Kurum" protestuan mëngjesin e djeshëm pas dhunimit fizik të kolegut të tyre
ELBASAN - Rreth 200 metalurgë të kompanisë turke "Kurum International" në Elbasan zhilluan dje në mëngjes një protestë 1-orëshe e cila do të përsëritet edhe në ditët në vijim. Si shkak i protestës së fundit ka shërbyer dhunimi i rëndë fizik i njërit prej punëtorëve të kësaj kompanie.
Mësohet se drejtori turk i Sektorit të Derdhjes së Çelikut pa Ndërprerje, Mehmet Xhen, ka rrahur punëtorin Refik Hasalla, 54 vjeç. Protestuesit të mbështetur edhe nga sindikatat kanë deklaruar se do të kërkojnë largimin e drejtuesve aktualë të uzinës së çelikut të cilët shpeshherë keqtrajtojnë punëtorët shqiptarë.
Sipas tyre, duhet të largohen nga detyra të paktën tre drejtues të kësaj kompanie dhe konkretisht Mehmet Xhen, Sait Harman dhe Ylker Gumaidem, pasi, sipas metalurgëve, janë kthyer në dhunues sistematikë ndaj punëtorëve.
Ndërkohë, metalurgu i dhunuar së fundi ka depozituar edhe një padi ndaj drejtuesit turk. Kryetari i Konfederatës së Industrisë Kimi-Metalurgji të Shqipërisë, Taf Koleci, tha se konfederata nuk do të lejojë që të dhunohen punëtorët, madje firma "Kurum" duhet të plotësonte edhe kërkesa të tjera, siç janë rritja e pagës, marrja e shpërblimeve suplementare dhe përmirësimi i kushteve të punës.
Para kësaj proteste të diktuar nga dhuna e drejtuesit turk ndaj metalurgut shqiptar është zhvilluar një protestë masive dyorëshe, ku janë parashtruar për zgjidhje urgjente disa kërkesa, si: rritja e pagës, marrja e dietës ushqimore, sipas VKM-ve, përmirësimi i masave të sigurimit teknik në punë, sigurimi i veshjeve profesionale ndaj nxehtësisë dhe ushqimin antidodë, që drejtuesit e firmës e japin në vlerë dhe jo në kalori ushqimore. Kërkesë tjetër e ngritur nga metalurgët mbetet largimi nga puna i punëtorëve pa asnjë shkak dhe duke shkelur kontratën.
Protesta e metalurgëve, sipas organizatorëve, do të vijojë derisa kërkesat e tyre të plotësohen.