E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Akuzat ndaj Bashës janë politike

Edhe një herë tjetër qeveria shqiptare ka mbrojtur ministrin Basha për rrugën Durrës-Kukës. Nëpërmjet zëdhënëses Majlinda Bregu, qeveria ka deklaruar se akuzat e Prokurorisë ndaj ministrit Basha janë qesharake dhe të motivuara politikisht. Sipas Bregut në asnjë rast nuk ka pasur vendime personale të ministrit Basha, por rruga Durrës-Kukës është ngritur mbi bazën e Këshillit të Ministrave. "Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, veprës më madhore të shqiptarëve, është realizuar dhe mbështetet tërësisht dhe ekskluzivisht në vendimet e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit",thuhet në deklaratë. Ndër të tjera zëdhënësja e qeverisa u shpreh se "Këshilli i Ministrave hedh poshtë pretendimet absurde se i ka marrë këto vendime në kushte të mos informimit të plote apo të keqinformimit nga ministri Basha, si trillime të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike apo ligjore, por që synojnë të rikthejnë në Shqipëri kohërat e dënimeve kolektive". Qeveria e konsideron manipuli akuzën se ministri Basha ka shkelur barazinë në tendera në rastin e përzgjedhjes së konsulentit ndërkombëtar. "Është trill i qartë, absurd, qesharak dhe i pabazë pretendimi i Prokurorisë se Lulzim Basha i ka fshehur Këshillit të Ministrave një vendim të marrë po nga Këshilli i Ministrave.", thuhet ndër të tjera në deklaratë. "Akuzat e formuluara ndaj ministrit Basha janë thjesht përpjekje primitive dhe të dështuara për të shndërruar prokurorinë në një parti politike nga armiq dhe kundërshtarët e korridorit shqiptar", përfundon deklarata e zëdhënëses Majlinda Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›