E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Brenda një viti fitojmë statusin e kandidatit në BE



Për marrjen e statusit të kandidatit, KE i sjell Shqipërisë në muajin dhjetor pyetësorin nga Brukseli për marrjen e statusit kandidat dhe për përkthimin e 15 mijë faqeve të këtij dokumentacioni dhe një legjislacioni prej 12 000 faqesh, do të destinohet pjesa më e madhe e buxhetit të Ministrisë së Integrimit. Për vitin që vjen, atë 2010, do të jenë 296 milionë lekë, 80% më shumë se vitin e kaluar. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri dje të qartë se pala shqiptare do të përpiqet të shkurtojë afatet për fitimin e statusit, i cili sipas të gjitha gjasave do të merret pas 1 viti. Dhe Shqipëria mund të përfitojë brenda një viti statusin e vendit kandidat në BE. Një logjikë që bazohet në eksperiencën e vendeve të tjera në këtë proces, por dhe angazhimin e qeverisë për t’iu përgjigjur në kohë të gjitha pyetjeve të Komisionit Evropian, por për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, më shumë se afateve, qeveria do t’i mëshojë cilësisë në përgjigjen e pyetësorit të Unionit Evropian. Një ditë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, që miraton zyrtarisht shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ministrja Bregu tha se ky ishte vlerësimi i unionit për reformat, por dhe standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ministria e Integrimit e cilëson qëndrimin e opozitës në kah të kundërt me atë çfarë theksoi ditën e hënë zyrtarisht blloku 27 anëtarësh. Zhvillimi i radhës në këtë fazë marrëdhëniesh me Brukselin, është marrja në dorë e pyetësorit prej më shumë se 2 mijë pyetjesh. Në këtë fazë përgatitore të pyetësorit, ministrja Bregu do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kroaci, vendi që shënon një eksperiencë të ngjashme në këtë drejtim. Krahas takimeve me zyrtarë të lartë, ministrja Bregu do të marrë pjesë në konferencën me titull "Përfundimi i negociatave për anëtarësim me Kroacinë dhe perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE". "Jam e bindur që ne nuk kemi dhe nuk do të lëmë asnjë ditë bosh për të vonuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Komisioni do të marrë rreth një muaj kohë për të sjellë pyetësorin në Shqipëri. Ne presim që ky pyetësor të mbërrijë brenda dhjetorit. Nga ai moment ne nisim direkt me përgjigjen e pyetjeve dhe nga koha që ne përgjigjemi për këtë informacion të bollshëm të pyetësorit të KE-së, deri në përfundimin e tij, vlerësimit nga KE të përgjigjeve që jep Shqipëria, besoj që nuk do të kalojë më shumë se një vit", - deklaroi Majlinda Bregu, ministre e Integrimit. Ajo raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit; sa reflektohen në buxhet rekomandimet e progres-raportit 2009. Duke bërë një analizë lidhur me faktin se sa ky buxhet reflekton rekomandimet e progres-raportit të KE-së 2009 dhe sa i përgjigjet kësaj faze të re të procesit të integrimit, ministrja informoi se të ardhurat për vitin 2010 do të rriten në nivelin e 361 miliardë lekëve, me një rritje prej 10.7% kundrejt buxhetit të rishikuar të 2009-s. Për sa i përket kriterit politik dhe veçanërisht reformës në gjyqësor, e cila zë vendin kryesor në rekomandimet e progres-raportit, buxheti 2010 ka një rritje të konsiderueshme: buxheti për sistemin e burgjeve rritet me 14.3%, ndërsa ai i Prokurorisë së Përgjithshme 12.7%. Rritjet më të shumta në buxhetin e 2010-s do të shkojnë për Emergjencat Civile (23.4%), Policia e Shtetit (11%) etj. Lidhur me buxhetin e ministrive të linjës, ministrja iu referua Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, buxheti i së cilës për vitin 2010 është planifikuar 43.82 miliardë lekë ose e thënë ndryshe, rritur në masën 11.7% krahasuar me buxhetin e rishikuar 2009 si një prioritet i qeverisë. “Në kuadrin e sugjerimeve të progres-raportit në 2010 do të synohet rritja e kapaciteteve administrative dhe kërkimore, ku përmirësimi i menaxhimit dhe perfomancës së institucioneve arsimore mbetet prioritet i kësaj ministrie, por dhe i qeverisë sonë. Një vëmendje e veçantë do t’i jepet rritjes së kapaciteteve kërkimore si një element i rëndësishëm i arsimit”, - tha ministrja. Për sa i përket Ministrisë së Integrimit, buxheti për vitin 2010 do të jetë 296 milionë lekë. Ky buxhet është 136 milionë më shumë se buxheti i rishikuar i vitit 2009 ose 85% më shumë. Shtesa e këtij buxheti i referohet rritjes së kapaciteteve administrative të ministrisë sonë në përgjigjen e pyetësorit si prioriteti ynë për vitin në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›