E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i BE-së, Berisha: 4.500 pyetjeve u përgjigjemi për 75 ditë



Kryeministri Sali Berisha siguron BE-në se brenda dy muajve e gjysmë qeveria e tij do t’u përgjigjet pyetjeve të pyetësorit dhe se vendimin e Brukselit do ta kthejë në përgjegjësi maksimale. Nisur nga përgatitjet për pyetësorin, pasi ai të përpilohet, Berisha kërkoi mbrëmë nga stafi qeveritar reforma të thella dhe të gjithanshme, ekipe serioze dhe përkushtim maksimal për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Brukseli. Paralel me përgatitjet për të mundësuar sa më parë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, qeveria shqiptare duhet të përballet tashmë edhe me detyrimet që lindin në rrugën për në Bashkimin Evropian. Kjo pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat. Gjatë mbledhjes së mbrëmshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha e cilësoi vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së si një shkallë maksimale përgjegjësie që ngrihet përballë qeverisë dhe ftoi edhe njëherë opozitën t’i bashkëngjitet këtij procesi. “Kërkoj reforma të thella dhe të gjithanshme, ekipe serioze, por asgjë më fisnike sesa përkushtimi nuk ka, ky është një projekt ëndrrash. Në BE ka pasur debate, por për shqiptarët anëtarësimi është ëndrra më e bukur dhe kemi plotësisht të drejtë”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, ky vendim përfaqëson vendimin më të rëndësishëm që është marrë ndonjëherë për Shqipërinë në kryeqytetin e BE-së, por edhe në Evropë në tërësi. Z. Berisha vuri në dukje se është një vendim që vendet anëtare të BE-së nëpërmjet ministrave të Jashtëm shprehin qartë vullnetin për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë, që ajo të ecë drejt anëtarësimit të plotë në BE. “Komuniteti ndërkombëtar na dha ne një besim në paradhënie me anëtarësimin në NATO. Ata krijuan besimin e plotë tek përkushtimi ynë dhe ne për këtë besim bëmë çdo gjë, bashkëpunuam ngushtë me opozitën. Nuk di ndonjë vend tjetër i cili t’i ketë lënë partisë kryesore opozitare përcaktimin e sistemit zgjedhor apo përcaktimin e kodit zgjedhor nen për nen. U angazhuam me teknologjitë më të larta dhe i dhamë vendit zgjedhje të lira e të ndershme; zgjedhje që plotësuan kërkesat kryesore të OSBE-së”, - tha Berisha. Kryeministri thirri mbrëmë kabinetin qeveritar në një mbledhje jashtë radhe, pas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Berisha bëri të qartë se ky vendim ka qenë rezultat i punës dhe reformave që ka bërë Shqipëria. Sipas tij, vendimi i BE-së është hapja reale, për anëtarësim, është dëshmi e arritjeve së pari në konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave njerëzore, të cilat kanë njohur rritje, ky ka qenë edhe kushti kryesor që një vend të pranohet në gjirin e BE-së. Berisha përmendi se vendet ish-komuniste sot vende anëtare, përveç Sllovenisë, të gjitha kanë diferenca të mëdha ekonomike me vendet themeluese, të cilat nuk patën një të kaluar komuniste, por ato janë pranuar anëtare me të drejta të plota madje Sllovenia dhe Kroacia, kanë drejtuar Presidencën e BE-së, kjo për përpjekjet në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe për një ekonomi tregu të konsoliduar. Reformat janë ato që bënë të mundur vendimin e BE-së. “Lufta me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, reformat e tregut dhe privatizimet e mëdha, këto kanë bërë që Shqipëria të vlerësohet e përshtatshme për të nisur bisedimet për anëtarësim. Pas vendimit të djeshëm, gjithçka mbetet në anën tonë, vendimi është shkallë maksimale përgjegjësie për ne. KE është e autorizuar të sjellë pyetësorin të përbërë nga mijëra pyetje, që është një intervistë komplekse për të gjithë situatën e vendit. Nëse në procesin e liberalizimit të vizave ne kishim të bënim me 120 kërkesa, në procesin e statusit të vendit kandidat kemi të bëjmë me një univers kërkesash”, - theksoi z. Berisha. Zëvendësministrja e Integrimit ka deklaruar gjatë mbledhjes së qeverisë, se në mes të dhjetorit pritet që të mbërrijnë rreth 4500 pyetje, të cilat do të vlerësojnë gatishmërinë e Shqipërisë. Ndërsa afati i plotësimit të pyetjeve do të jetë 3 deri në 4 muaj. Kryeministri Berisha i ka ngarkuar detyrë zv.kryeministrit Meta që të koordinojë punën edhe me institucionet e pavarura. Ai ka theksuar se për çdo ndihmë që ata kanë nevojë, qeveria do të jetë e gatshme t’i ndihmojë. Berisha ka deklaruar se nëse pyetjet vijnë në mes të dhjetorit, ato do të dorëzohen patjetër në fund të shkurtit. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se puna duhet të fillojë menjëherë për plotësimin e pyetjeve. Berisha ka kërkuar përkthyes shtesë, për të gjetur domethënien e termave që do të lehtësojnë punën. Ai ka dhënë porosi që dhe manuali i termave të përgatitet sa më parë, ndërsa ka kërkuar edhe trajnimin e personave të angazhuar në këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›