Vizat, Barrot, Bashës: Shqipëria përmbushi kriteret e rëndësishme
Shqipëria ka përmbushur kriteret më të rëndësishme për heqjen e vizave dhe ky proces do të finalizohet në vitin 2010. Në këtë mënyrë konfirmoi dje Komisioni Evropian mbështetjen ndaj qeverisë “Berisha” për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë vitin e ardhshëm. Në forumin ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, ku Shqipëria përfaqësohej nga ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, zv.presidenti i Komisionit Evropian dhe komisioner për Çështjet e Drejtësisë dhe Sigurisë, z. Jacques Barrot, vlerësoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret më të rëndësishme për heqjen e vizave dhe ky proces do të finalizohet në vitin 2010. “Dialogu vazhdon dhe unë shpresoj që vitin e ardhshëm ne do të shkojmë drejt heqjes së vizave për shqiptarët. Unë isha në Shqipëri, kur dhashë pasaportën e parë biometrike dhe tani shoh që Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për heqjen e vizave. Rruga që është bërë, tregon se heqja e vizave do të arrihet në vitin 2010”, - u shpreh z. Barrot. Gjatë këtij forumi, ministri Basha falënderoi përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian për mbështetjen e dhënë dhe siguroi se Shqipëria është në hapat e fundit të përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave. Ministri Basha informoi se Shqipëria po kryen me ritmin më të shpejtë në rajon pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. Këtë e dëshmon fakti se brenda një kohe të shkurtër mbi 250 mijë qytetarë shqiptarë janë pajisur me pasaporta biometrike. Z. Basha informoi edhe për progresin e arritur në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit nëpërmjet instalimit të sistemeve analoge me vendet Schengen në pikat e kalimit kufitar për menaxhimin total të informacionit dhe për analizën e informacionit kriminal. Ministri Basha informoi gjatë forumit edhe për rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Ministri Basha vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se forumi ministror ashtu si institucionet kryesore të Bashkimit Evropian evidentoi edhe progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri Basha shprehu falënderim gjithashtu për vendimin e Parlamentit Evropian, i cili duke njohur e vlerësuar progresin e bërë, propozoi përfshirjen e Shqipërisë në listën e bardhë Schengen. Po kështu, Basha siguroi përfaqësuesit e Komisionit Evropian se progresi do të vërtetohet nga vetë ekipet e monitorimit që do të verifikojnë ecurinë e plotësimit të kushteve në muajin dhjetor. Mbështetja e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në vitin 2010 u përfshi edhe në dokumentin final të Forumit Ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Gjatë dy ditëve të këtij forumi ministerial, ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, u takua dhe bisedoi me zv.presidentin e Komisionit Evropian, z. Jacques Barrot, dhe përfaqësues të tjerë të Komisionit Evropian. Zv.presidenti Barrot dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në veçanti progresin e arritur që prej inspektimit të fundit të Komisionit Evropian deri më tani. Ministri Basha zhvilloi takime të veçanta me znj. Beatrice Ask, ministre e Drejtësisë së Suedisë, vendit kryesues të Bashkimit Evropian dhe znj. Annemie Turtelboom, ministre e Brendshme e Belgjikës, vendit që do të kryesojë Bashkimin Evropian gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Në këto takime, ministri Basha informoi për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave me BE-në. Në këtë aspekt, ministri Basha u ndal në procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumente identiteti të standardeve ndërkombëtare. Basha informoi se tashmë çerek milioni shqiptarë janë pajisur me pasaporta biometrike dhe se Shqipëria ka ritmin më të lartë në rajon në realizimin e këtij procesi. Ministri Basha informoi gjithashtu se Shqipëria zotëron tashmë sisteme analoge me vendet Schengen për kontrollin e kufirit dhe analizën e informacionit kriminal. Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, siguroi gjatë këtyre takimeve se duke u bazuar tek progresi i arritur deri më tani, Shqipëria do të përmbushë plotësisht kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian për të përfituar liberalizimin e vizave vitin e ardhshëm.