Statusi, Topalli: Zgjedhjet e lira, prova e fortë për BE-në
Vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për pranimin e kërkesës së Shqipërisë vlerëson në mënyrë të veçantë standardet e arritura në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky është vlerësimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila deklaroi nga Nju Jorku, ku ndodhet në një vizitë zyrtare, se 16 nëntori është një ngjarje historike. “Miratimi nga Këshilli i Ministrave i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat do të thotë që Shqipëria është përgëzuar, është vlerësuar në mënyrë të veçantë për zgjedhjet e 28 qershorit si zgjedhje që plotësuan kërkesat kryesore të OSBE-së”, - tha Topalli. Sipas kryetares së Kuvendit, vendimi për statusin nuk u mor nga Këshilli para datës 28 qershor, ndonëse kërkesa u bë në muajin prill. Topalli tha se Këshilli i BE-së gjeti një provë të fortë tek zgjedhjet e 28 qershorit për të dhënë vendimin për miratimin e kërkesës së Shqipërisë. “Kjo është çështja për të cilën Këshilli i Ministrave nuk e mori këtë vendim para 28 qershorit, ia la Shqipërisë dhe shqiptarëve si një provë të rëndësishme të forcimit të demokracisë dhe të parlamentarizmit. Data e sotme, vendimmarrja e sotme për miratimin e kërkesës të depozituar nga Kryeministri Berisha në prill të këtij viti në periudhën e Presidencës çeke ishte një mesazh pozitiv vlerësues, inkurajues për Shqipërinë, duke bërë që vendi ynë të arrijë tashmë në stacionin më të afërt drejt BE-së”, - tha më tej Topalli, duke shtruar se kjo është një fitore e të gjithë shqiptarëve. Një tjetër pikë ku u ndal kryetarja e Kuvendit, ishte bojkoti i opozitës. Ajo ftoi deputetët socialistë të zënë vendet në Kuvend. “Është një rast të cilin opozita nuk mund ta humbasë. E humbi shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve për t’u bërë pjesë e kësaj fitoreje”, - deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se opozita po humbet momente të mëdha në historinë e vendit. “Në Parlament ne kemi arritur kompromise të jashtëzakonshme, unë besoj se në Parlament do të bëjmë shumë punë të rëndësishme, por në mënyrë të veçantë, Parlamenti, si i vetmi institucion që është përfaqësues, duhet të përcjellë kontratën që secili prej deputetëve, i majtë apo i djathtë, ka me qytetarët e tij, me zgjedhësit e tij, ka detyra të mëdha dhe këtyre detyrave dhe kësaj kontrate nuk mund t’i ikë askush, ndaj dhe unë i ftoj dhe një herë të vijnë në Parlament, të mos humbin momente të tjera”, - deklaroi nga Nju Jorku Topalli. Kryetarja e Kuvendit mbylli prononcimin e saj me nevojën për të nxituar në arritjen e standardeve shtesë që vendi të përfitojë sa më parë liberalizimin e vizave.
Gjatë vizitës në Nju Jork, Topalli i kushtoi rëndësi forcimit të marrëdhënieve ndërparlamentare me vendet e tjera. Në godinën e OKB-së në Nju Jork u mblodhën rreth 15 kryetarë të parlamenteve kryesore të botës dhe tema kryesore e takimit ishte fuqizimi i rolit të parlamentit dhe marrja e lidershipit nga parlamenti në përballjen me sfidat ekonomike globale, me çështjen e ndryshimit të klimës, në diskutimin për kreditë me Bankën Botërore dhe FMN-në, për luftën kundër varfërisë etj. “Ajo që ne synojmë sot, në kushtet e globalizmit, në kushtet e teknologjisë së informacionit, në kushtet e sfidave globale, është se raportet tona duhet të jenë më të shpeshta me këto fuqi të reja ekonomike që po lindin, si India, Indonezia, Kina, Afrika e Jugut apo Amerika Latine”, - tha Topalli.