Bregu: Edi Rama bllokoi qëllimisht statusin e kandidatit – ndëshkimin ia japin qytetarët
Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu akuzon kreun e PS se i mohoi me ndërgjegje Shqipërisë, statusin e vendit kandidat në BE, për të tretin vit radhazi “Statusi i kandidatit për Shqipërinë u bllokua nga mosvotimi i tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian”. Kështu deklaroi sot ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu duke hedhur poshtë pretendimet e kundërta të opozitës, lidhur me mosmarrjen e statusit për të tretin vit radhazi.
Bregu akuzoi kreun e PS për bllokim të qëllimshëm të integrimit të Shqipërisë, ndërsa theksoi se 23 qershori do të jetë dita e ndarjes përfundimtare me bllokuesit. “Sic edhe jeni vënë në dijeni, dje në Luksenburg u mbajt takimi i 5- të i Këshillit të Stabilizm Associmit, BE- Shqipëri. Në prani të përfaqësuesve të presidencës Europiane dhe Komisionerit Fyle, u diskutuan dhe u vlerësuan reformat që qeveria shqiptare ka ndërrmarë dhe realizuar në kuadër të proçesit të integrimit të vendit në BE që nga liberalizimi i vizave e deri tek plotësimi i një listë të madhe të detyrimeve. Kjo bëri të mundur që Shqipërisë t’i propozohej në tetor 2012 marrja e statusit të vendit kandidat. Por ky status u bllokua. Dje u tha edhe njëherë qartazi, se statusin e vendit kandidat Shqipëria e humbi prej mosvotimit të tre ligjeve, që ishin kusht i vendosur në Raportin e Progresit, të Komisionit Europian në tetor 2012 si dhe në konkluzionet e Këshillit në Dhjetorin 2012.
Pra pavarësisht nga ato çfarë thotë e ç’thotë opozita, u theksua dje përsëri nga komisioneri për zgjerim dhe ministrja irlandeze, se ishte mëkat që konsensusi politik u ndërpre atëherë kur duhet të votoheshin 3 ligjet. Nuk besoj se ka qytetar shqiptar që nuk e ka kuptuar këtë, sikurse nuk besoj se ka pseudoalenaca politike që nuk e kanë të qartë këtë. Opozita dhe kryetari i PS-së kanë bllokuar me ndërgjegje, jo sepse votimi i 3 ligjeve shkelte ndonjë parim, apo cënonte ndonjë moral politik. Përkundrazi morali politik i drejtë orienton politikanët e forcat politike të vënë mbi të gjitha interesin e vendit. Interesin e kujt ka mbrojtur Edi Rama duke bllokuar Shqipërinë 3 herë? Të Shqipërisë e shqiptarëve jo! Sot opozita këkon të bindë se është për Shqipërine evropiane. Po pse nuk i voton 3 ligjet atëherë? Sepse e vetmja gjë që bën Rama, është të vendosë prioritetin partiak mbi atë të Shqipërisë evropiane. Sikurse bën edhe sot. Ky kryetar partie po nuk bllokoi nuk e shtyn dot jetën e tij politike. Të njëjtën gjë që po bën edhe me KQZ-në. Përsëri pala evropiane bëri thirrje. Komisionieri Fyle theksoi se të gjitha palët politike kanë përgjegjësi për të siguruar besimin e njerëzve në procesin zgjedhor e se të gjitha palët politike duhet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Të gjitha palët! Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet për të mos e lënë më vendin peng të bllokimit, siç bëri Edi Rama, pas zgjedhjeve të 2009-ës. Se këtë moral politik ka ai. Ndaj bëjnë thirrje ndërkombëtarët për pranim të rezultatit të zgjedhjeve. Ndoshta ky moral politik të çon drejt aleancave manovër, por fitues nuk të nxjerr kurrsesi. Sepse qytetarët shqiptarë kanë moralin për të dënuar atë që bllokon, pavarsisht bojërave të makjazhit që përdor. Qytetarët shqiptarë kanë nëshkruar kartën e parimeve universale, e më të thjeshtë: mashtruesit e bllokuesit nuk do të bllokojnë dot më. 23 qershori është dita e ndarjes përfundimtare me pseudomoralin e bllokuesit”- deklaroi ajo.
...