E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Hapja e negociatave, nuk është datë e largët

22-11-2011 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, në Komisionin Parlamentar të Integrimit,
fton opozitën të bashkëpunojë për konstituimin e grupeve të negociatave

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit lidhur me projekt-buxhetin e Ministrisë së Integrimit për vitin 2012, i cili është parashikuar të jetë në vlerën 330 milion Lekë, ose 0.5% më shumë se buxheti i vitit 2011.
Duke kundërshtuar deklaratat e deputetëve të opozitës në komision që thanë se buxheti i ministrisë së integrimit për vitin e ardhshëm, është ulur me 7.4%, ministrja sqaroi se kjo shumë për  të cilën aludohet dhe që është publikuar nga raporte të shoqërisë civile, thjesht është transferuar tek drejtoria e tregut të brendshëm dhe nuk është më pjesë e drejtorisë së mbështetjes institucionale, pra mbetet në funksion të ministrisë. Që në fillim të fjalës së saj, ministrja sqaroi se ky buxhet është parashikuar për të kryer vetëm detyrat funksionale të koordinimit të procesit të integrimit. “Ky buxhet nuk është një buxhet që menaxhon i vetëm aktivitetin e ministrisë, kemi edhe asistencën e përvitshme të fondeve të IPA-s. Me një pjesë të fondeve të kësaj asistence të atashuar pranë Ministrisë së Integrimit, jemi munduar të përballojmë trajnimet, përmirësimin e sistemit të softëare-it, cilësi më të mirë në përkthimin e legjislacionit dhe njëkohësisht të paguajmë dhe detyrimin e 15% të fondeve të asistencës të cilat i atashohen me projekte një vendi, një detyrim i cili do të vazhdojë të mbështetet nga MIE”- u shpreh ministrja. Gjithashtu, në pranverë, (procesi është në fazën e tenderimit në Komisionin evropian), pranë ministrisë së Integrimit do të atashohet asistenca e tretë teknike e BE-së, SMEI III që do të krijojë mundësinë për të përmbushur të gjitha detyrimet që është e pamundur të realizohen me buxhetin e shtetit:  p.sh.: falë kësaj asistence është parashikuar të trajnohen më shumë se 700 nëpunës të administratës publike. Pyetjeve të deputetëve të pranishëm në Komision, nëse ka ndodhur ndonjëherë që një zhvillim apo aktivitet në kuadër të procesit, të pengohet nga mungesa e buxhetit, ministrja tha se integrimi është një proces, i cili nuk ka sesi të pengohet nga mungesa e fondeve. “Nëse ne humbëm 2 vjet kohë, ato i humbëm jo se nuk kishim para, por se një pjesë e politikës, opozita, mungoi totalisht në parlament dhe nuk luajti rolin që i takon në zhvillimet politike të vendit”, tha ministrja, e cila ftoi opozitën që me rikthimin e saj, të ndihmojë në atë që ajo e vlerësoi si prioritet të punës së vitit të ardhshëm: kompletimin e dosjes për akreditimin nga sektori i IPA-s, një proces shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me kërkesat për menaxhimin e decentralizuar të fondeve. “Nuk është objektiv i vështirë për t’u realizuar, dihet tashmë që BE është në vazhdën e procesit të decentralizimit, i cili do të kompletohet në momentin që Shqipëria ka do të akreditojë dosjen e saj të plotë për komponentët e 3 dhe të 4 të IPA-s, kohë kjo që normalisht duhet të përputhet me marrjen e statusit të vendit kandidat. Pra, do të koordinohen strukturat me institucionet e linjës që do të përfitojnë kur këto fonde të jenë të decentralizuara. Ju ftojmë që të jepni kontributin tuaj”, tha ministrja e cila sqaroi të pranishmit edhe lidhur me faktin nëse Shqipëria humb apo jo fonde, me humbjen e statusit të vendit kandidat.        
“Deri në vitin 2013, plani afatmesëm, i cili është miratuar nga BE është një plan tek i cili nuk ndryshohet asgjë edhe nëse një vend merr apo humb statusin e vendit kandidat, siç ndodhi me Shqipërinë. Të paktën nga ana financiare, vendi  nuk ka humbur asgjë sepse plani financiar është miratuar deri në vitin 2013. Të vetmet vende që do të duhen të hyjnë në këtë plan financiar dhe që kanë ecuri më të shpejtë se Shqipëria për t’u bërë vende anëtare, janë Kroacia dhe Islanda. Kjo do të thotë që me apo pa status të vendit kandidat, nuk kemi humbur asnjë euro. Nëse do të ishim në një tjetër situatë, nëse ky plan do të përfundonte në 2011 dhe do të rishikohej në 2012, kur Shqipëria të ishte pa status, atëherë ndoshta do të kishte një diskutim të tillë. Në fund të fjalës së saj ministrja kërkoi bashkëpunimin e opozitës për dy çështje të rëndësishme që lidhen me ecurinë e procesit si rishikimi i Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA-së dhe konstituimin e grupeve të negociatave. “Do ta konsideronim me vlerë bashkëpunimin tuaj gjatë procesit të rishikimit të Planit Kombëtar të MSA-së, që do të thotë të keni akses online gjatë raportimeve të ministrive dhe së dyti, ju ftojmë të kontribuoni në konstituimin e grupeve të negociatave, pasi mund të them se data e hapjes së negociatave nuk është datë e largët”- tha ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›