Bregu: Hetim zgjedhjeve, por jo vendimet e gjykatave

Kriza politike
Shumica asnjë hap për zgjidhje
TIRANË-Mazhoranca qeverisëse nuk ka pranuar as dje draftin e propozuar nga përfaqësuesit kryesorë të Parlamentit Evropian për të zgjidhur krizën politike.
Shumica në pushtet përmes zëdhënëses së qeverisë shqiptare Majlinda Bregu nuk ka shfaqur asnjë qëndrim konkret ndaj paketës së zgjidhjes të ardhur nga Brukseli, ndërsa i ka kërkuar opozitës që të bëhet pjesë e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve.
Por, ky hetim, sipas Bregut, nuk duhet të prekë vendimet e gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet e 28 qershorit.
Duke përshëndetur qëndrimin e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën politike në Shqipëri në një deklaratë për shtyp, Bregu kërkoi që opozita problemet që ka me vendimet e gjykatave për zgjedhjet e kaluara parlamentare, t'i zgjidhë përmes rrugës gjyqësore, duke rikonfirmuar në këtë mënyrë, se vullneti politik i mazhorancës për zgjidhjen e situatës politike me opozitën deri më tani po mungon.
"Qeveria shqiptare siguron qeverinë e Shteteve të Bashkuara se në përputhje me shtetin ligjor dhe në respekt ndaj Kushtetutës dhe institucioneve demokratike të vendit, në Shqipëri mund të bëhet transparenca e çdo dokumenti.
Rikonfirmojmë publikisht edhe një herë se mazhoranca legjitime e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit i ka ofruar opozitës për zgjidhjen e qëndrimit të saj ndaj parlamentit jo vetëm pjesëmarrje në Komisionin Hetimor Parlamentar, por edhe shumicen me votë në këtë komision, si dhe kryesimin e tij, për të mundësuar hetimin e çdo çështje, që lidhet me zgjedhjet, perveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate.
Këto të fundit opozita ka mundësinë t'i ndjekë dhe t'í zgjidhë në rrugë gjyqësore",- tha dje Bregu. Zëdhënsja e qeverisë dhe njëherësh ministrja e Integrimit përsërti formulën e njohur të mazhorancës se opozita të dërgojë në Prokurori çdo dokument që disponon për manipulimet që janë kryer në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Kur shumica nuk ka pranuar akoma transparencën e zgjedhjeve për të mundësuar verifikimin e manipulimit të procesit të kaluar zgjedhor, ajo i kërkon opozitës që të paraqesë në Kuvend në formën e amendamenteve të gjitha rekomandimet e ardhura nga OSBE-ODIHR, për të përmirësuar Kodin Elektoral për zgjedhjet e ardhshme.
"Rikomfirmojmë se qeveria është e hapur që opozitës t'i krijohen të gjitha kushtet që të paraqesë në Prokurori për hetim të mëtejshëm e të plotë çdo akt apo dokument që ajo disponon mbi pretendimet e saj.
Rikonfirmojmë se i kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias",- u shpreh ajo.
Bregu shtoi se amendamentet që do të paraqesë opozita në Kuvend për përmirësimin e Kodit Zgjedhor do të miratohen nga ana e mazhorancës, ndërsa i ka kërkuar opozitës që të mos i hedhë poshtë këto oferta, pavarësisht faktit se ato nuk përbëjnë realizimin e kërkesës themelore të opozitës. "Garantojmë se këto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në Parlament.
Duke përshëndetur edhe një herë deklaraten e zëvendëssekretarit amerikan të shtetit, Xhejms Stajnberg, qeveria i bën thirrje opozitës të mos hedhë poshtë këto oferta dhe të dëshmojë se është një opozitë e përgjegjëshme për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve në interes të vendit",- nënvizoi Bregu.
Me qëndrimin e djeshëm mazhoranca qeverisëse rikonfirmoi edhe një herë se nuk do të lëshojë nga qëndrimi i saj në raport me transparencën e zgjedhjeve, pavarësisht paralajmërimeve të ardhura nga faktori ndërkombëtar për penalizim të procesit të integrimit dhe regjimit të heqjes së vizave me Shqipërinë.