Zhdukja e Bleonës, pyeten në Tiranë halla dhe kushërira
Prokruroria thotë se deklarimet e tyre rezultojnë kontradiktore për disa situata, duke shkaktuar dyshime tek hetuesit e çështjes,
Shoqërohen në Tiranë edhe dy banorë të fshatit Zapod ndërsa nuk jepen detaje rreth veprimit të organit të akuzës
TIRANË- Deklarimet kontradiktore të Alketa e Qamile Matës, përkatësisht halla dhe kushërira e Bleona Matës, dy vajzat e fundit që panë 6- vjeçaren e zhdukur, 23 ditë më parë në fshatin Zapod të Kukësit, u shoqëruan dje në Tiranë.
Ato u morën dje në pyetje për disa orë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në lidhje me zhdukjen e të afërmes së tyre. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, që sqaruan se paraditen e djeshme, dy vajzat u pyetën veçmas njëra- tjetrës.
"Dje në mëngjes, një furgon i Policisë së Kukësit, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Anton Martini, dërgoi në ambientet e Drejtorisë së Policisë në kryeqytet dhe asaj të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, hallën e vajzës së zhdukur, shtetasen Alketa Mata dhe vajzën e xhaxhait të 6- vjeçares shtetasen Qamile Mata.
Të dyja ato, kanë qenë të fundit që kanë folur dhe e kanë parë 6- vjeçaren Bleona Mata, e zhdukur pa gjurmë me 22 maj, të këtij viti 500 metra larg shtëpisë së saj, në kullotat e fshatit Zapod të Kukësit",-thanë burimet e prokurorisë. Sipas burimeve, shkak për sjelljen e tyre në Tiranë për t'u pyetur, janë bërë kontradiktat e deklarimeve të tyre dhënë në polici dhe prokurori pas zhdukjes së vajzës.
Këto kontradikta, sipas prokurorisë, konsistojnë në deklarimet mbi momentin, kur e zhdukura shkoi pas tyre për të kullotur bagëtitë, çfarë po bënte para se të zhdukej, ku kanë qenë vajzat e tjera në atë moment dhe si e kanë marr vesh ato zhdukjen e 6- vjeçares.
Sipas prokurorisë, dy të shoqëruarat në Tiranë, u pyetën edhe për dyshimet e prindërve të Bleonës, Zamir e Bukurije Mata, kanë ngritur ndaj tyre, për ndonjë lidhje intime të zbuluar pa dashur nga Bleona e zhdukur.
Prokuroria nuk pranoi të japë detaje të përgjigjeve të këtyre pyetjeve që mbahen ende sekrete. "Janë disa pista hetimi, që tashmë janë ngritur dhe po verifikohet për të zbardhur ndonjë detaj apo informacion mbi to. Ende nuk kemi një pistë të qartë për ngjarjen.
Po hetohet edhe në lidhje me dyshimet e ngritura për dy vajzat që ishin parë të fundit me 6- vjeçaren, për lidhjet e tyre të mundshme me ndonjë banor të zonës që Bleona Mata mund ta ketë zbuluar. Ky zbulim mund të ketë qenë shkas për zhdukjen së saj"- thanë burimet zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Policisë së Shtetit.
Përveç këtyre të pyeturve, mësohet se në Tiranë janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje edhe dy persona të tjerë. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve, por burimet pohojnë se ata janë banorë të fshatit Zapod të Kukësit.
Gjithashtu, mësohet se gjatë paradites së djeshme dhe pasdites së premte në Kukës, janë marrë në pyetje edhe tri vajzat e tjera, Gentiana, Diana e Rudina Mata, të cilat ishin në afërsi të vendit ku Bleona 6- vjeçare u zhduk ndërsa kulloste bagëtitë.
Pak ditë më parë, prokurori i çështjes Anton Martini, i shoqëruar nga drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Nikolin Bala, zbarkuan në Kukës dhe më pas në qytetet e Prizrenit dhe Sharrit në Kosovë. Ata u takuan e biseduan me homologët e tyre për kërkimet brenda territorit të Kosovës, por ende nuk ka asnjë gjurmë të vajzës së mitur.
Pjesë nga dëshmia e Qamile Matës dhënë në media
"I thashë të kthehej në shtëpi. Kur ktheva kokën pashë Bleonën të vinte pas meje. Ajo qante dhe kërkonte që të më vinte pas. Atëherë e ndihmova të kalonte rrugën e keqe. E çova te Alketa (halla e vajzës).
E ulëm te xhupat për të pushuar dhe të gjithë zunë pozicionet e tyre për të marrë bagëtitë. Rudina me qengjat e saj në atë çast ishte shumë afër vajzës. Ndërsa unë, në çdo 5-10 metra, i bërtitja Lonës. Një moment ajo më tha "pse më bërtet, se s'të kam bërë gjë...?'.
Për herë të dytë kur e thirra nuk më dha përgjigje. Kur ishim ulur të vendi ku po hante bukë ajo më kërkoi ujë, dhe unë direkt shkova te burimi për ta kërkuar pasi mendova se ka ikur atje"-pat dëshmuar Qamile Mata (vajza e axhës e Alketës).
Pjesë nga dëshmia e Alketa Matës dhënë në media
"E pashë Qamilen që mbante në dorë dhe xhupin e Bleonës dhe e pyeta ku është Bleona, ajo më tha se Bleona duhet të ketë shkuar në shtëpi"-pati deklaruar Alketa Mata, halla e vajzës 6- vjeçare të zhdukur.