E Diel, 1 Nëntor 2026

Themelimi i partisë, PS feston sot me bazën

Ndryshe nga vitet e tjera sot festa do t'i kushtohet bazës dhe jo thjesht themeluesve të saj. Për këtë arsye është vendosur që të zhvillohen takime thuajse në të gjitha degët e PS-së në rrethe


TIRANË - Socialistët festojnë sot 19-vjetorin e lindjes së partisë së tyre. Por ndryshe nga herët e tjera, sot festa do t'i kushtohet bazës dhe jo thjesht themeluesve të saj.


Për këtë arsye është vendosur që takime me rastin e kësaj dite të zhvillohen thuajse në të gjitha degët e PS-së në rrethe, ndërsa në mbrëmje është menduar edhe për një darkë në Lezhë, ku pritet të jenë të pranishëm, përveç kreut të PS-së, Edi Rama, dhe të gjithë deputetët e grupit parlamentar socialist, si dhe figurat më të larta drejtuese të partisë për këtë qark.
Festa në rrethe


Festimet e 19-vjetorit të Partisë Socialiste pritet të nisin që sot paradite në të gjitha rrethet e vendit, ku janë menduar organizime simbolike me rastin e kësaj dite. Shumica e deputetëve socialistë janë shpërndarë pikërisht në zonat e tyre elektorale dhe në bashkëpunim me strukturat drejtuese të degëve të partisë në rreth, pritet të mbajnë takime të veçanta për t'i uruar njeri-tjetrit, por edhe anëtarësisë gëzuar ditëlindjen e partisë.


Mësohet se janë marrë masat e duhura që deputetët dhe drejtuesit e partisë në bazë të bëjnë përshëndetjet e rastit, ku natyrisht më pas janë parashikuar të mbahen edhe kokteje të rastit.


Natyrisht, ky është një moment i mirë që në këto takime deputetët dhe krerët lokal të PS-së të falënderojnë edhe mbështetësit e tyre për përpjekjet dhe mbështetjen që i kanë dhënë partisë në këto 19 vite, por, në veçanti, në 10 muajt e fundit, ku beteja për votën e lirë është kthyer në një kauzë jetike për këtë forcë.


Darka në Lezhë


Më pas, një pjesë e mirë deputetëve socialistë do të lënë rrethet e tyre për t'iu drejtuar Lezhës, ku natyrisht për këtë ditë është menduar të bëhet edhe një organizim i veçantë për të kujtuar dhe respektuar kontributin e dhënë nga të gjithë socialistët që nga themelimi dhe shndërrimi i kësaj force në promotore të zhvillimit, pse jo për shumë vite dhe qeverisjes së vendit.


Për organizimin e kësaj mbrëmje festive janë kujdesur strukturat lokale të partisë për Lezhën në bashkëpunim me partinë në qendër.


Festa faktikisht do të nisë në orën 19:00, ku kreu socialist, Edi Rama, në kuadër edhe të turit të tij të falënderimeve do të zhvillojë një takim të gjerë me bazën e partisë, gjatë së cilit nuk do mungojnë edhe urimet për përvjetorin e 19-të të themelimit të partisë. Pas këtij takimi, deputetët dhe krerët e PS-së së qarkut Lezhë kanë menduar edhe për një darkë që do t'i kushtohet pikërisht ditës së themelimit të partisë.


Megjithëse nuk ka pasur ftesa të veçanta, organizatorët e kësaj darke kanë konfirmuar se nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë që është menduar të bëhet me këtë rast.


Ndryshe nga një vit më parë ku PS-ja luftonte për të marrë votat e shqiptarëve, 19-vjetori e gjen në një betejë tjetër që sërish ka lidhje me votën, por kësaj here vetëm për të bërë transparencën e saj. Ditëlindjen e 18-të Partia Socialiste e festoi vjet në një takim elektoral në Kodrat e Liqenit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

******************

Kryetarja e Kuvendit tha se PS duhet të përfaqësojë kritikën konstruktive ndaj qeverisë dhe jo bojkotin


Topalli: PS ka hapësirë, por jo mbi ligjin

NIKOSIA - Shumica në pushtet duket se nuk do të lëshojë pe ndaj kërkesave të opozitës për zgjidhjen e krizës politike, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për koston që mund të ketë për vendin vazhdimi i kësaj situate.


Ashtu si qëndrimi i djeshëm i qeverisë shqiptare edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka rikonfirmuar nga Nikosia e Qipros, se mazhoranca është e gatshme t'i japë çdo hapësirë opozitës, por pa prekur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, pasi, sipas saj, mbi shtetin ligjor nuk mund të qëndrojë askush.


Gjatë Konferencës të kryetarëve të parlamenteve të Këshillit të Europës që është mbajtur në Qipro, në sesionin me temë "Roli dhe përgjegjësitë e opozitës në parlament", kryetarja e Kuvendit specifikoi se opozita duhet të ndjekë rrugën konstruktive, pasi shumica qeverisëse doli nga zgjedhje demokratike.


Kjo konferencë është mbajtur nën kujdesin e vetë Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, turkut Mevlut Çaushoglu, i cili asistoi disa muaj më parë në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike.


"Detyra jonë është të respektojmë opozitën, hapësirat, rolin dhe çdo kërkesë të ligjshme të saj. Por, në të njëjtën kohë të jemi garant të respektimit të ligjit, të Kushtetutës e shtetit ligjor.


Mbi ligjin, e shtetin e së drejtës nuk qëndron askush, as opozita. Kur një forcë politike zgjidhet përmes zgjedhjesh demokratike, opozita duhet të përfaqësojë kritikën konstruktive ndaj saj, dhe jo bojkotin. Përndryshe deputetët opozitarë mund të përfundojnë duke harxhuar kohë me pasoja efektesh negative, edhe për veten e tyre. Dhe kjo e ka emrin papërgjegjshmëri", - tha Topalli.


Kryeparlamentarja Topalli ka hedhur në mënyrë indirekte akuza edhe ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, se ai po zhvillon një luftë të paprinciptë për të dalë kundër ligjit dhe Kushtetutës vetëm për interesa personale. Sipas Topallit, kryesocialisti duhet të pranojë verdiktin e popullit dhe jo të bojkotojë institucionet e vendit.


Topalli i ka cilësuar unike zgjedhjet e qershorit, pasi, sipas saj, ato u zhvilluan përmes një teknologjie dixhitale, ku çdo votë filmohej dhe fotografohej. Për këtë arsye, sipas saj, opozita nuk duhet ta kundërshtojë këtë proces, por duhet të japë propozime konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›