E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu-Islami, akuza të ndërsjella për bllokim procesi



Gjatë ditës së djeshme ka pasur një përplasje të ashpër midis dy zëdhënësve të dy partive kryesore që kanë akuzuar komisionerët e njëri-tjetrit për bllokimin e procesit të numërimit të votave në disa KZAZ. Kastriot Islami ka akuzuar dëmtimin e procesit në qarkun e Shkodrës. Ai bëri të ditur se disa kuti votimi kanë dalë me rezultatin 300 vota për PD-në dhe 0 vota për PS-në, gjë që, sipas tij, është e pamundur. “Ka shumë votues që nuk kanë shënuar firmën dhe numrin e kartës së identitetit apo pasaportës, por thjesht kanë shënuar me kartë, me pasaportë. Të gjitha këto, me sa duket, tregojnë qartë se përse ka qenë pjesëmarrja kaq e lartë në Shkodër. Të gjithë vëzhguesit tanë dhe komisionerët, në zbatim të ligjit, janë munduar të realizojnë një proces ligjor, por forca e kartonit ka bërë që të gjitha këto manipulime të vulosen nga komisionet e numërimit të votave”, - është shprehur Islami, ndërsa ka bërë të ditur se do ta kontestojë rezultatin e këtij qarku duke ndjekur rrugën ligjore. Ndërsa Majlinda Bregu, gjatë një konference për shtyp në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, akuzoi PS-në për bllokimin e procesit në Rrogozhinë, Bushat, Kurbin, Fushë-Kuqës, si dhe në Pukë. Mbrëmë pas mesnate në rrethin e Kurbinit u vu re një prani e madhe e forcave speciale pranë KZAZ-së kur pritej të përfundonte procesi i numërimit për kutinë e fundit që ndante mandatin e tretë për PS-së ose të pestin për koalicionin e PD-së.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›