PDK: Shkelje të rënda në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Vlorë dhe Elbasan
Partia Demokristiane ka denoncuar dje ato që ajo i quajti shkelje të rënda në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Dibrës, Vlorës dhe Elbasanit. “Sipas të dhënave të vëzhguesve të PDK-së dhe aleatëve tanë në Polin e Lirisë, në shumicën e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor janë shfaqur veprime të paligjshme të tjetërsimit të votës, duke shënuar në procesverbale numra shumë më të ulët të votave të subjektit tonë sesa numri real i votave që shfaqet publikisht edhe në ekranet e tavolinave të numërimit”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të PDK-së. Demokristianët denoncojnë shkelje në zonën e Kombinatit, Laprakës, Paskuqanit, Kamzës në bashkinë e Tiranës. Po kështu ata kanë evidentuar shkelje të rënda në procesin e administrimit të votës në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Vlorë, Korçë e Elbasan. “Partia Demokristiane do të mbledhë menjëherë Këshillin Kombëtar, ku do të shqyrtojë të gjitha shkeljet e konstatuara në dëm të votës demokristiane dhe do të marrë vendimin politik për njohjen ose jo të rezultatit të zgjedhjeve”, - shkruhet në deklaratën e PDK-së.
1 Korrik 2009