E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku, nënkampion i Mesdheut në peshëngritje



Peshëngritja vazhdon të sjellë medalje në Shqipëri, duke qenë për momentin sporti i vetëm që ka ngritur flamurin kuqezi në podiumin e nderit të Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”. Radha e medaljeve i përket talentit të ri të peshëngritjes shqiptare, 19-vjeçarit Ervis Tabaku, nënkampionit të botës për të rinj në peshën 85 kg. Tabaku u shpall nënkampion i Mesdheut, duke fituar edhe medaljen e argjendtë në këtë peshë në stilin e shkëputjes, duke ngritur 166 kg. Tabaku e nisi garën me 161 kg në provën e parë, për të vazhduar në të dytën me 166 kg, por dështoi në provën e tretë në tentativën për të ngritur 198 kg. Peshëngritësi tjetër shqiptar, i kësaj peshe, Endri Haxhihyseni zuri vendin e katërt, duke ngritur 163 kg. Në këtë stil medaljen e artë e fitoi turku Izet Inçe, që ngriti në provën e tretë 167 kg. Në stilin e shtytjes, Tabaku ngriti pas tri provave përfundimisht 196 kg, ndërkohë që Endri Haxhihyseni nuk morri pjesë. “Boshti” shqiptar ka marrë 6 medalje, 2 të arta, 3 të argjendta dhe 1 bronzi. Kampioni shkodran Erkand Qerimaj fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshës 77 kg për meshkuj në stilin shkëputjes, duke e ngritur shtangën në peshën 157 kg, duke fituar medaljen e artë, por duke vendosur edhe një rekord të ri në Lojërat Olimpike të Mesdheut. Në stilin e shtytjes, vetëm 200 gramë më shumë sesa egjiptiani Ibrahim Abdelaki, i hoqën të drejtën Erkand Qerimaj të shijonte medaljen e dytë të artë, pasi si egjiptiani ashtu dhe Erkandi e ngritën peshën në 193 kg. Erkandi peshon 76.79 kg, ndërsa egjiptiani 76.59 kg. Gjithsesi, Qerimaj edhe në këtë stil nuk doli pa medalje, pasi fitoi atë të argjendtë. Të shtunën, peshëngritësja Romela Begaj, përpos medaljes së artë në stilin e shkëputjes në kategorinë e peshës 58 kg, vendosi edhe dy rekorde të njëpasnjëshme mesdhetare: fillimisht, 92 kg, e më pas duke çuar shtangën në 95 kg. Ylli i shtangës shqiptare për femra, 22-vjeçarja Romela Begaj, mori edhe një medalje argjendi, duke ngritur shtangën në 110 kg. Një tjetër peshëngritës medalist është Briken Calja, i cili fitoi medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes në peshën 69 kg, duke ngritur 142 kg.

Not
Dy notarët shqiptarë, Sidni Hoxha dhe Endi Babi ndanë vendet 5 dhe 6 në baterinë e dytë të garës së 100 metrave stil i lirë për meshkuj, duke mos vazhduar më për në garat finale. Hoxha regjistroi kohën 53.26 sekonda, ndërkohë që Babi, 54.36. Të ndarë në dy 50 metërsha, Hoxha realizoi kohën e njëjtë 25.54 sekonda. Të dielën, në garën e 50 metrave stil i lirë, Sidni Hoxha theu rekordin Kombëtar me kohën 23.57 sekonda.

Gjimnastikë
Dy gjimnastet tona Riselda Selaj dhe Ornela Çuka grumbulluan përkatësisht 40.950 pikë dhe 39.700 pikët në kualifikueset e disiplinës individuale në paralele të shkallëzuar, kaluç dhe ushtrime të lira në tapet, duke zënë vendin e katërt dhe të pestë, por pa mundur të shkojnë tej kualifikueseve.

Qitje
Dy qitëset shqiptare, Lumturi Pepa dhe Shpresa Kotrri u renditën në dy vendet e fundit në garën e qitjes 10 metra pistoletë ajër, përkatësisht në vendin e 22-të dhe të 23-të. Pepa grumbulloi 358 pikë në total në katër seri gjuajtje (86, 93, 89, 90), ndërkohë që Kotrri gjuajti vetëm në serinë e parë (84 pikë) e të dyte (6), pasi pati probleme me pistoletën gjatë zhvillimit të garës. Medaljen e artë e fitoi serbja Andrea Arsovic me 502 pikë në total (grumbulloi 398 pikë pas katër serive të gjuajtjeve plus 104 pikëve në gjuajtjet finale).

PESHËNGRITJE
Meshkuj, pesha 85 kg

Shkëputje
1. Izet Inçe (Turqi) 167 kg
2. Ervis Tabaku (Shqipëri) 166 kg
3. Mohamed Eshtivi (Egjipt) 165 kg

MEDALISTËT E ARTË

Romela Begaj
Peshëngritësja Romela Begaj, përpos medaljes së artë në stilin e shkëputjes në kategorinë e peshës 58 kg, vendosi edhe dy rekorde të njëpasnjëshme Mesdhetare: fillimisht, 92 kg, e më pas duke çuar shtangën në 95 kg. Romela siguroi edhe një medalje të argjendtë në shtytje.

Erkand Qerimaj
Kampioni shkodran Erkand Qerimaj fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshës 77 kg për meshkuj në stilin shkëputjes, duke e ngritur shtangën në peshën 157 kg, kjo e shoqëruar edhe me një rekord olimpik. Erkandi siguroi edhe një medalje të argjendtë në stilin e shtytjes.

Shqipëria, 6 medalje

Shqipëria ka siguruar deri tani 6 medalje në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”, nga këto dy janë të arta dhe katër janë të argjendta. Dy të artat ndahen në një për femra (Romela Begaj) dhe një për meshkuj (Erkand Qerimaj), ndërsa tre të argjendtat ndahen në një për femra (Romela Begaj) dhe tre për meshkuj (Erkand Qerimaj, Briken Calja dhe Ervis Tabaku).

2 REKORDE MESDHETARE

Shqipëria është mbajtëse e dy rekordeve mesdhetare, që të dyja në peshëngritje. Romela Begaj e mban atë në peshën 58 kg për femra në stilin e shkëputjes (95 kg), ndërkohë që Qerimaj e mban atë në peshën 77 kg po në stilin e shkëputjes (157 kg).

Futboll U-20
Spanjë-Shqipëri 3-0

Shqipëria U-20 humbi me rezultatin e pastër 3-0 kundër Spanjës, ndeshjen e dytë dhe të fundit në Lojërat Mesdhetare. Pjesa e parë u mbyll 2-0. Ndeshja e përfaqësueses sonë, kjo në bazë të statistikave të publikuara, nuk ka qenë pasive, pasi nëse spanjollët goditën 12 herë në total, tanët shkuan në 8-të, ndërsa ato brenda kuadratit të portës ishin 7-7. Në takimin e parë, atë kundër Tunizizë, përfaqësuesja jonë e drejtuar nga Artan Bushati humbi 2-1. Golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi 19-vjeçari i talentuar i Flamurtarit, Ardit Shehaj. Shqipëria U-20 pësoi pesë gola në dy ndeshje, një shifër jo e vogël. Në vend të parë dhe të dytë u renditën Spanja dhe Tunizia, nga katër pikë.

30 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›