Bregu: “Më 31 mars do ti kthejmë përgjigje pyetësorit të BE-së”
Pas marrjes së pyetësorit nga ambasadori Lohan, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, prezantoi dokumentin nëpunësve të administratës së Ministrisë që ajo drejton. Gjatë fjalës së saj Bregu bëri të ditur se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që përgjigjet e pyetësorit t’i kthehen BE-së më 31 mars të vitit të ardhshëm, pra brenda një periudhe rekord prej 4 muajsh. Ministria e Integrimit bëri të ditur se pyetësori prej 384 faqesh përmban gjithsej 2280 pyetje për fusha të ndryshe të zhvillimit të vendit. Bregu e cilësoi këtë një moment historik për vendin dhe shtoi se administrata shtetërore do ta përmbushë këtë detyrë jo vetëm institucionale, por edhe kombëtare. Më tej ajo bëri të ditur se është alokuar buxheti i nevojshëm për trupën e përkthyesve. Ndërkohë që për të plotësuar përgjigjet e pyetësorit do të angazhohen 45 institucione shtetërore, 800 nëpunës civilë, 58 përkthyes, 35 grupe pune të ngritura pranë institucioneve shtetërore. “31 marsi 2010 është data e përfundimit të përgjigjeve. Motoja jonë do të jetë cilësia dhe vërtetësia, por edhe një proces që të ketë ritëm, pa vonesa”, - është shprehur Bregu.
17 Dhjetor 2009