Dinamo-Vllaznia, jo si në kohët e vjetra
Dinamo e Vllaznia u ndanë me një barazim pa gola në “Loro Boroçi” në javën e katërt të fazës së parë, por tani në përballjen e javës së 15-të, dy skuadrat e njohura të futbollit shqiptar kanë krijuar një diferencë prej 23 pikësh në favor të bluve kryeqytetas. Dinamo është e pandalshme në rrugën e saj drejt titullit të 18-të, dhe këtë e tregoi edhe në javën e paraardhëse kur fitoi bindshëm me Teutën (1-3) në “Niko Dovana”, por te stafi i Vllaznisë besojnë se e kanë stofin për të mos dalë pa pikë nga sfida në “Qemal Stafa”. Me 12 fitore në 14 ndeshje, me sulmin më të mirë në kampionat (27 gola) dhe me “kryetopçiun” e sezonit, Elis Bakaj (9 gola, një më pak se sa ka shënuar Vllaznia), trajneri Shkëlqim Muça beson se do të marrë tri pikët e radhës në ndeshjen e 125-të historike ndaj klubit më të vjetër në Shqipëri, por që ka koleksionuar 8 tituj kampion më pak se Dinamo (17 Dinamo, 9 Vllaznia). Vllaznia (një skuadër e vogël këtë sezon) mbërrin në kryeqytet pas fitores minimale me Kastriotin (1-0) në Shkodër, rezultat që shpëtoi edhe bankinën e trajnerit të dytë sezonal të saj, Roland Luçit, por në sfidat në transfertë kuqeblutë kanë statistika të hidhura: në 7 ndeshje, 0 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje. Edhe një e dhënë tjetër, Vllaznia ka sulmin e dytë më të dobët në këto 14 javë. Dinamo do të jetë pa serbin Putinçanin, shqiptarin Allmuçën e argjentinasin Soza, por trajneri Muça ka një bankinë cilësore për të përballuar Vllazninë, që dhe ajo nga ana e saj ka pesë mungesa titullarësh.
Gramozi, mision të dyfishtë me Skënderbeun
Gramozi është ende me “afshin” e barazimit spektakolar me Tiranën (1-1) në kryeqytet katër ditë më parë, edhe pse do të presë në një fushë të mbuluar nga bora “ujqërit e dëborës”, Skënderbeun, ndaj të cilëve ka hesape për të larë, jo vetëm nga ajo humbje e thellë 4-1 në Korçë, por dhe fyerjet poshtëruese të tifozerisë korçare. Edhe Skënderbeu vjen në përballjen e dytë sezonale me Gramozin e sponsorizuar nga “Taçi Oil International”, kompania që ka mundur të sjellë dy herë Milanin në Tiranë e tashmë është në përgatitjet e fundit për të sjellë në “Qemal Stafa”, Realin e Madridit, pas atij barazimi (1-1) shumë të kontestuar me Flamurtarin në Vlorë. Trajneri i dytë sezonal i Gramozit, Agim Canaj, nuk ishte në bankinën kolonjare në ndeshjen e parë të humbur me rezultatin e thellë 4-1 (në Korçë drejtoi Ilir Qirjako), por beson se me një ekip luftarak në fushë dhe të disiplinuar taktikisht në fushë mund të marrë pikë të plota ndaj Skënderbeut, që ashtu si kolonjarët ende nuk e ka shijuar fitoren e parë sezonale në transfertë. Me moral të lartë, por në një stadium pa shikues, Canaj kërkon më shumë motivim nga skuadra, pavarësisht se dy golashënuesit më të mirë, Armando Sadiku dhe Genc Hyseni, janë në rikuperime e sipër e në dyshim për sfidën ndaj Skënderbeut. Gramozi është në fakt, skuadra që ka realizuar më shumë barazime në këto 14 javë: 6 të tilla, por në sfidën ndaj korçarëve ka edhe një mision tjetër: të bëjë rokadën me Skënderbeun, pasi diferenca midis të dy formacioneve është vetëm dy pikë: Skënderbeu, 14; Gramozi, 12. Trajnerit të Skënderbeut, Gerti Haxhiu, do t’i mungojnë dy lojtarë titullarë, Gjondeda dhe Rukavina, të ndëshkuar me karton të kuq në transfertën e Vlorës, por tekniku vlonjat shpreson të kthehet në Korçë me pikë nga Erseka, teksa në tri ndeshjet e fundit (Korçë, Laç e Vlorë) ka njohur barazime.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15
16.12.2009
13:00 Gramozi-Skënderbeu
13:00 Apolonia-Laçi
13:30 Dinamo-Vllaznia
13:30 Kastrioti-Shkumbini
13:30 Teuta-Flamurtari
17.12.2009
13:30 Besa-Tirana
1 Dinamo 14 38
2 Besa 14 26
3 Tirana 14 22
4 Apolonia 14 21
5 Teuta 14 19
6 Shkumbini 14 18
7 Laçi 14 17
8 Kastrioti 14 16
9 Vllaznia 14 15
10 Skënderbeu 14 14
11 Gramozi 14 12
12 Flamurtari 14 11
BALLË PËR BALLË
APOLONIA-LAÇI
Ndeshje: 16
Fitore Apolonia : 6
Barazime: 3
Fitore Laçi: 7
Golat: 21-23
Faza e parë: Laçi-Apolonia 3-2
DINAMO-VLLAZNIA
Ndeshje: 124
Fitore Dinamo: 48
Barazime: 41
Fitore Vllaznia: 34
Golat: 162-116
Faza e parë: Vllaznia-Dinamo 0-0
KASTRIOTI-SHKUMBINI
Ndeshje: 9
Fitore Kastrioti : 2
Barazime: 3
Fitore Shkumbini: 4
Golat: 5-6
Faza e parë: Shkumbini-Kastrioti 1-0
TEUTA-FLAMURTARI
Ndeshje: 126
Fitore Teuta: 34
Barazime: 46
Fitore Flamurtari: 46
Golat: 143-112
Faza e parë: Flamurtari-Teuta 0-3
BESA-TIRANA
Ndeshje: 126
Fitore Besa: 16
Barazime: 41
Fitore Tirana: 69
Golat: 108-211
Faza e parë: Tirana-Besa 1-1
16 Dhjetor 2009