E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Sarajevë, merr pjesë në Konferencën rajonale për Aleancën e Qytetërimeve

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mori pjesë në konferencën e parë të ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore për Aleancën e Qytetërimeve, që u mbajt në Sarajevë. Aleanca e Qytetërimeve synon që nëpërmjet veprimit në fushat e saj kryesore që janë rinia, arsimi, media dhe migrimi, të krijojë një kuadër për promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, mirëkuptimit ndërkulturor dhe paqes e sigurisë. Në fjalën e tij në këtë konferencë, zëvendëskryeministri Meta theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë mirëkuptimi dhe dialogu ndërkulturor në funksion të një shoqërie të shëndetshme dhe shumëkulturore. Meta bëri thirrje për një veprim politik më të shënjestruar dhe të koordinuar në rajonin tonë, çka do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Europës Juglindore, por në të gjithë Europën.
Meta theksoi gjithashtu se heqja e barrierave të fundit që pengojnë kalimin e lirshëm të kufijve nacionalë, si dhe liria e lëvizjes, do t’i japin popujve të rajonit mundësinë që jo vetëm të ndërtojnë një dialog konstruktiv, por t’u mundësojë atyre realizimin e kontakteve të ndërsjella dhe shkëmbimin e kulturave respektive.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›