E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria merr pyetësorin, Berisha fton Ramën në konferencë të përbashkët

Lohan rithekson nevojën për dialog politik mes palëve. “Reformat duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë”
Eljona Ballhysa
Ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, i dorëzoi dje kryeministrit Berisha pyetësorin e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Dorëzimi i pyetësorit realizohet vetëm 1 muaj pas miratimit nga ministrat e Jashtëm të BE-së të kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Qeveria shqiptare është angazhuar që t’i plotësojë 2260 përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit brenda një periudhe katërmujore duke thyer rekordin e Kroacisë. Pas takimit me Lohan, në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Berisha, duke vlerësuar rëndësinë e këtij momenti, i bëri thirrje kryetarit të PS-së që të përshëndesin në një konferencë të përbashkët këtë vendim të BE-së. Ndërsa Lohan bëri dhe njëherë thirrje që palët të dialogojnë për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Qëndrimi
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Europian të jenë më të vërtetat e të vërtetave. Berisha theksoi se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori. “Dua ta garantoj se qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Europian të jenë më të vërtetat e të vërtetave. Gjithashtu, unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për shtyp.
Ambasadori
Ndërsa ambasadori Lohan, duke e cilësuar marrjen e pyetësorit nga Shqipëria një hap i ri historik, një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, theksoi dhe njëherë nevojën për bashkëpunim midis pozitës dhe opozitës. “Në procesin e integrimit në Bashkimin Europian këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për ketë arsye, ne e themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament. Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament”, - është shprehur Lohan, ndërsa shtoi se Komisioni Europian pret që kriza në Shqipëri të zgjidhet sa më parë. “Komisioni Europian, me gjithë forcën tonë të mundshme, urojmë që ky ngërç, në situatën politike në Shqipëri, të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara, ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, - është shprehur Lohan.
Ambasadori më tej bëri një përmbledhje të përmbajtjes së pyetësorit. “Unë do të dëshiroja që të theksoja edhe njëherë rëndësinë tepër të madhe të atyre që quhen kriteret politike, funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Komisioni Europian do t’i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen. Po ashtu, Komisioni Europian do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt Bashkimit Europian kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira”, - është shprehur Lohan.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›