E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Në fillim të vitit tjetër jemi vend kandidat për në BE



Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka raportuar ditën e djeshme përpara deputetëve të Komisionit parlamentar të Integrimit ku ka folur mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe zbatimit të detyrimeve të BE-së. Ajo tha se nisur nga përvoja dhe nga ajo që po ndodh, Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për të hyrë në BE, në fillim të vitit të ardhshëm. “Deri tani, me Portugalinë e kanë ratifikuar 22 vende të Bashkimit Evropian MSA-në me Shqipërinë. Jemi në pritje të Francës e cila do e bëjë në shator së bashku me Gjermaninë si dhe Greqinë, e cila ka tejkaluar parashikimet tona. Gjithsesi, në vjeshtën e vonë, diku nga nëntori, ne do të kemi të ratifikuar MSA-në me të gjitha vendet”, - tha Bregu. Ministrja shtoi më tej duke thënë se qeveria është duke parë nga afër situatën në Bashkimin Evropian, gjë që do të mundësojë që Shqipëria të bëjë një hap të matur kur të kërkojë statusin e vendit kandidat. Duke parë situatën aktuale, mohimin e Turqisë nga Franca apo problemet me Traktatin e Lisbonës, po detyron diplomacinë Shqiptare që të kontaktojë në mënyrë formale dhe informale të gjitha vendet në mënyrë që Shqipëria të mos hasë problem. Ministrja Bregu foli edhe për realizimin e reformave. “Qeveria shqiptare, bazuar mbi rekomandimet e Progres-Raportit dhe Partneritetit Evropian, ka bërë përparime, për sa i takon luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për sa i përket pjesës së plotësimit të kriterit politik, detyrimet kryesore si reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit apo edhe krimit të organizuar, janë tri nga pikat kryesore të rekomandimeve të Partneritetit Evropian, për të cilat janë bërë hapa përpara”, - tha Bregu. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Ilir Meta, kërkoi që reformat të zbatohen sipas rekomandimeve në mënyrë që në zgjedhjet e vitit 2009, të shmangen fenomenet negative si ai i “Dushkut”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›