E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, habi për akuzat e Del Pontes

Këshilli i Evropës ka shprehur dje shqetësimin për deklaratat e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, për përfshirjen e UÇK-së në trafikun e organeve të rreth 300 të burgosurve serbë gjatë luftës. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Teri Devis, lidhur me këtë çështje shtroi pyetjen se pse Del Ponte zgjedh pikërisht këtë kohë shumë domethënëse për rajonin që të bëjë deklarata të tilla. “Jam shumë i shqetësuar për deklarata e Del Pontes, gjithsesi jam i habitur që ajo i ka bërë pikërisht tani dhe pse jo më parë”, - tha ai. Karla del Ponte në librin e saj “Gjuetia, unë dhe kriminelët” hedh dyshime për një trafikim organesh ndaj 300 të burgosurve serbë të rrëmbyer nga UÇK-ja, të cilët më pas dërgoheshin në një shtëpi në Burrel, ku kryhej edhe transplanti i organeve. Tirana dhe Prishtina zyrtare e hodhën poshtë pretendimet e Del Pontes, duke i konsideruar si trillime dhe absurditete, ndërkohë që Asambleja Parlamentare e KE-së vendosi të shqyrtojë akuzat, pasi sipas saj, nuk kishte ende fakte për të dyshuar në vetëdijen e ish-kryeprokurores. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i ka cilësuar trillime dhe absurde faktet që Del Ponte rendit në ditarin e saj të shumëpërfolur. “Akuzat që njollosin shqiptarët janë të pamoralshme dhe të dënueshme. Del Ponte ka pasur mundësi të hetojë. Ndjej keqardhje për akuzat e Del Pontes”, - tha Basha. Ministri i Jashtëm ka deklaruar se një situatë e tillë ushqen qarqet radikale dhe ka si qëllim destabilitetin e rajonit. Lidhur me këto akuza, ka reaguar edhe Parlamenti shqiptar. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, si dhe deputeti i Matit, Qemal Minxhozi, kanë kërkuar reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare, që të raportojë lidhur me akuzat e Del Pontes, në një reagim të organit të akuzës mohohej kategorikisht se prokuroria kishte dijeni për këtë trafik. Pavarësisht se i gjithë faktori shqiptar i ka konsideruar trillime akuzat e Del Pontes, nga ana e KE-së do të ketë verifikime dhe shqyrtim të akuzave të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›