PD: Rama, tradhti qytetarëve të Tiranës
Tradhtar i interesave të qytetarëve të Tiranës. Ky është reagimi i selisë blu pas deklarimit të kryebashkiakut Edi Rama për kandidim në zgjedhjet e 2009-s. Dëshira e Ramës për t’u bërë deputet përmes mundësisë që i japin zgjedhjet e vitit që vjen, nuk ka kaluar pa vëmendjen dhe reagimin e Partisë Demokratike, që e ka konsideruar këtë tradhti të interesave të qytetarëve të Tiranës, të cilëve Rama u kishte premtuar se do të qëndronte në detyrën e kryebashkiakut deri në fund. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, duke e konsideruar Ramën kryetar me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, theksoi se për hir të interesave personale, Rama nuk do të mbajë asnjë premtim që u ka bërë kryeqytetasve. “Dje, Edi Rama, kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës, i cili iu ishte zotuar qytetarëve të Tiranës se në rast se do ta votonin do të qëndronte në detyrën e kryetarit të bashkisë, u deklaroi shqiptarëve se do t'i tradhtojë ata, se nuk do e mbajë fjalën dhe se do të kandidojë në krye të listës për zgjedhjet e ardhshme”, - tha Bogdani gjatë një komunikimi me mediat.
Sipas tij, kjo tregon se ky njeri përpara interesave të tij nuk vë asnjë lloj interesi tjetër, aq më pak interesin e qytetarëve dhe se me këtë shpjegohet edhe gjendja e rëndë ku e ka katandisur kryeqytetin kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës. Deklarimi i Ramës për të ndryshuar krejtësisht kursin e drejtimit të tij në politikë ka lënë thuajse jashtë vëmendjes faktin se me një kandidim të tij, Tirana do të përballet me zgjedhje të reja, për të votuar për kryetarin e ri të bashkisë. Ndërsa duke iu referuar qëllimeve të vërteta të kreut të bashkisë dhe të PS për këtë ndryshim kursi, duket se arsyet janë të vjetra dhe jo momentale. Në krye të tre vjetëve që kur po drejton PS-në, kryebashkiaku e ka ende të vështirë për t’u konsoliduar si kryetar partie. Të qenit mes këtyre dy posteve mjaft të rëndësishme është përballur me jo pak andralla me të vetët, por edhe me aleatët. Kështu, i gjendur mes pikëpyetjes së madhe të qenit kryetar bashkie apo kryetar partie me mandat deputeti, duket se Rama më në fund ka vendosur, kryetar partie dhe deputet. Një vit më parë, kur u përball me garën e tretë për kryetar bashkie, Rama sqaroi prerazi se e kishte më për zemër të qeveriste kryeqytetasit se sa të përzihej me “politikën e vjetër” të Kuvendit, siç e quajti ai. Por, kur nga zgjedhjet na ndan dhe një vit, dhe partia më e madhe e opozitës është përfshirë nga ethet zgjedhore, as Rama nuk ka mundur të shpëtojë dhe të reflektojë. Përveç dëshirës për të spastruar partinë nga të vjetrit, Rama synon përforcimin e grupit parlamentar në Kuvend, i cili ka vuajtur nga protagonizmi për shkak të mungesës së liderit të vërtetë. Për këtë, një vit më parë, ai zgjodhi që në krye të grupit të ishte një person që do ia lejonte kontrollin e 36 deputetëve që i kanë mbetur këtij grupi parlamentar.
Vendimi i ri i Edi Ramës ka shokuar edhe selinë rozë e kryesisht bashkëpunëtorët e tij. Këta të fundit, gjatë këtyre tre vjetëve ia kanë lejuar vetes mosbindjen ndaj urdhrave dhe vendimi të kryetarit. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë merr fund edhe marrëveshja e pashkruar mes kreut të LSI-së, Ilir Meta dhe Edi Ramës, në 2006, e cila kishte në thelb, mbështetjen e LSI-së për të fituar bashkinë, në këmbim të postit kryeministror në 2009-n, derisa sa Ramës t’i mbaronte mandati i kryebashkiakut.