Meta: Tirana, qyteti më i varfër për aktivitete
Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim në Njësinë Minibashkiake Nr. 3 në Tiranë. Pasi falënderoi të pranishmit në këtë Konferencë, kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, evidentoi faktin se kryeqyteti sot vuan për më shumë hapësira rinore, për më shumë jetë sociale, për më shumë aktivitete për të rinjtë. Sipas saj, Tirana sot është kryeqyteti me jetën më të varfër sociale, kulturore dhe sportive, ku të rinjtë sot nuk kanë alternativa tjetër për të kaluar kohën e lirë. Ndërsa kryetari i LSI-së, z. Meta, duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm në këtë aktivitet theksoi se "Lëvizja Rinore për Integrim është i vetmi forum politik në Shqipëri që ka mbrojtur me të drejtë interesat e rinisë shqiptare. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Meta u bëri thirrje atyre për t'u bashkuar të gjithë me LRI-së, sepse sot të rinjtë kanë një mision të përbashkët, atë të integrimit të vendit në BE-së. Unë besoj se është momenti që të gjithë të rinjtë të bashkohen me njëri-tjetrin, - theksoi Meta, - të bashkohen me Lëvizjen Rinore për Integrim dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në mënyrë që të shprehin vetveten, në mënyrë që të shprehin pasionet dhe ëndrrat e tyre dhe sidomos për t’i realizuar ato. "Duke u bashkuar këtu, duke punuar në mënyrë më të organizuar, unë jam i bindur se vitin e ardhshëm LSI-ja pa dyshim do të jetë forcë kryesore jo vetëm në rezultatin elektoral, por edhe në qeverisjen e vendit", - citoi ai. “Sepse ky vend ka nevojë që të ndahet nga keqqeverisja dhe mosqeverisja e deritanishme”, - tha Meta.