E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i vë Evropës 10 kushte, bllokon integrimin

23-09-2011 / Gazeta 55

Zbardhet mashtrimi që prej disa muajsh, Edi Rama po u bën interlokutorëve ndërkombëtarë. Dje publikisht PS ka deklaruar se s’do të votojë 12 rekomandimet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit të kandidatit, nëse mazhoranca nuk i plotëson atij 10 kushte, të cilat në fakt janë parakushte që ai të përjetësohet në krye të partisë dhe t’i premtohet marrja e pushtetit në 2013-n. Marrja peng e procesit të integrimit po konfirmon linjën antiperëndimore të një celule që ka marrë pushtetin e opozitës shqiptare

Opozita humbi dje mundësinë të tregonte para shqiptarëve se bojkoti 2 vjeçar i Kuvendit ka qenë i pa-qëllimshëm për të penguar integrimin evropian të Shqipërisë. Seanca e djeshme e Kuvendit mendohej të ishte test për rolin e opozitës në kuadër të plotësimit të detyrave të Brukselit dhe kontributit të saj në funksion të çeljes së dritës jeshile për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Fundi i seancës plenare rezervon një të vërtetë të hidhur! Partia Socialiste ngre kartonët kundër integrimit, ndërsa në vend të tyre ngre 10 pika të tjera që s’kanë lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë as me përsosjen e kuadrit legjislativ, por thjeshtë e vetëm zvarritjen e progresit evropian të vendit. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi shpalosi draftin e kushtëzimit të votave të opozitës, i cili përbëhej nga 10 pika, ku ndër to binte në sy shantazhi i socialistëve për ligjet me shumicë të cilësuar, kthimi i drafteve ligjore edhe njëherë në komisionet e përhershme parlamentare, ndryshimin e rregullores së kuvendit etj,.
Atëherë kur pritej që PS të faktohej para opinionit publik si forcë politike që i ishte rikthyer konstruktivitetit dhe dialogut parlamentar, ndodh krejt e kundërta, PS ka mbetur në origjinën e saj të largët me qëllim adaptimin e praktikave të PPSH-së, të cilat s’janë gjë tjetër veçse paralele për të mbajtur Shqipërinë larg ndikimit të evropës së bashkuar dhe vendeve demokratike. Deputetët e Partisë Socialiste seleksionojnë numrat-vota kundër ligjeve me shumicë të cilësuar, duke e detyruar Kuvendin të tërheqë draftin e ligjeve me 3/5. Sigurisht ky s’është një lajm i mirë, por po të mendojmë se pas kësaj çorbe anti-parlamentare dhe anti-demokratike fshihen 65 deputetë, atëherë çështja meriton të marrë përmasat e seriozitetit. Padyshim që qindra e mijëra qytetarë shqiptarë ishin spektatorë të maskaradës së kursit të ri, teksa në Kuvend me kartonat e opozitës rrëzoheshin ligjet e integrimit, pjesë e draftit të rekomandimeve me 12 pikat e Brukselit, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Shqipëria rrezikon seriozisht që edhe për këtë vit të mbetet jashtë hapësirës së ndikimit të Bashkimit Evropian, pasi në rast të një vlerësimi negativ në progres-raportin e Komisionit Evropian, atëherë ministrat e Jashtëm të BE në mbledhjen e tyre të muajin dhjetor, mund të ri-përsërisin mesazhin e tyre refuzues për statusin e vendit kandidat, çka automatikisht do të thotë mos hapje të negociatave të anëtarësimit. Dhe problemi është përsëri midis nesh...te vota kundër ligjeve të integrimit nga Partia Socialiste dhe 65 deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë. 
Për PS-në janë më të rëndësishme 10 pikat e saj, se sa 12 pikat e Bashkimit Evropian.
Pikëpyetjet janë të mëdha dhe domosdo i duhen adresuar kryekëput Partisë Socialiste. Pse PS refuzon ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore? Pse PS kërkon rikthimin e ligjeve në komisionet parlamentare të Kuvendit, atëherë kur draftet ligjore janë miratuar njëherë me konsensus bipartizan PD-PS? Pse kërkesat e opozitës në Kuvend depozitohen atëherë kur Kuvendi ka një tjetër axhendë, atë të diskutimit dhe miratimit të ligjeve që janë pjesë e draftit voluminoz të rekomandimeve të Bashkimit Evropian? E thënë qartë dhe shkurt, parlamenti ka një opozitë miope dhe se “kursi i ri” i propaganduar fuqishëm nga Edi Rama, s’është gjë tjetër veçse një flluskë sapuni, pasi opozita e dhunës dhe destruktivitetit mbetet e njëjta, veçse thjesht sa po tenton të maskohet dhe fshihet pas epiteteve. Kaosi opozitar s’ka arsyeshmëri të mbrojë veprimet e veta, pasi duket qartë që opozita s’është në gjendje të ndjekë rrymën e dialogut, ndërsa deklaratat e lëshuara në emër të gjuhës së kompromisit thjesht e vetëm sa zbulojnë gjithnjë e më shumë krizën e identitetit të së majtës politike dhe problemet e brendshme të Partisë Socialiste.
Leonard Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›