E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Përgjigjet e pyetësorit brenda marsit 2010

TIRANË- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha sot në një konferencë për shtyp, se "përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Europian do të realizohen brenda 31 marsit 2010".
"Kalendari i përgjigjes së pyetjeve sipas kapitujve të pyetësorit fillon nga data 16 dhjetor, ndërsa kemi parashikuar fundin e tij më datë 31 mars të viti 2010", u shpreh ministrja Bregu.

Ajo premtoi se qeveria "do të bëjë ç'është e mundur që çdo institucion të ketë një periudhë për t'iu përgjigjur pyetjeve me cilësi, por pa zvarritje. Motoja jonë kryesore gjatë këtij procesi është cilësia dhe vërtetësia. Ky proces do të ketë ritëm dhe nuk do të ketë ngecje".

Në komunikimin me gazetarët ministrja Bregu informoi se "pyetësori përmban 2280 pyetje, të përfshira në 384 faqe dhe që janë të ndara në 33 kapituj. Ndërkohë, ka dy kapituj shtesë, për efekt të pyetësorit, një për kriterin politik dhe një për atë ekonomik".

Për përgjigjet e këtij procesi janë të angazhuara 48 institucione, mbi 800 nëpunës civilë, 58 përkthyes, 27 trajnues ndërkombëtarë. Ministrja tha se janë ngritur 35 grupe pune që funksionojnë pranë institucioneve përkatëse, ndërsa janë trajnuar deri tani 460 nëpunës për një periudhë tremujore.

Sot Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan, i dorëzoi Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin e KE-së, i cili do të vlerësojë përgatitjen e vendit për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përgjigjet që do të jepen nga autoritetet shqiptare do të shërbejnë si bazë për opinionin që KE do të përgatisë mbi aplikimin për anëtarësim, që Shqipëria paraqiti në muajin prill 2009.

Opinioni i KE-së mbi përgatitjen e vendit për t'u bërë shtet kandidat do t'i prezantohet Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili më pas do të marrë një vendim.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›