Dinamo, me Vllazninë vjen fitorja e 13-të
TIRANE- Dinamo ka arritur fitoren e 13-të këtë sezon, duke mposhtur 4-2 Vllazninë në “Qemal Stafa”. Skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça nuk njeh asnjë ndalesë javë pas jave, duke siguruar një tjetër shkëputje nga ndjekësit e Besës. Në kryeqytet është luajtur një nga ndeshjet më të bukura të këtyre javëve, por në fund kanë qenë blutë ata që kanë arritur të marrin një tjetër 3 pikësh. Sefa shënoi në minutën e 4-t për Dinamon, ndërsa në minutën e 8-të ishte Bakaj ai që dyfishoi shifrat. Por, Vllaznia u rikthye shumë shpejt në lojë duke realizuar dy herë me anë të Rajoviç e Beqirit në minutat 23’ dhe 25’. Gjithsesi, skuadra e Muçës e ka nisur shumë shpejt pjesën e dytë dhe në minutën e 50-të gjeti golin e avantazhit me autor Fatjon Sefën. Sulmuesi lushnjar shënoi edhe golin e katërt në minutën e 52-të, duke mbyllur llogaritë me takimin. Me këtë tripletë, Sefa është ngjitur në kuotën e 9 gola, 1 më pak se shoku i tij i skuadrës Elis Bakaj, i cili udhëheq listën e golshënuesve. Ndërkohë në takimet e tjera bie në sy fitorja 2-0 e Apolonisë përballë Laçit. Bërkiç realizoi të dy golat në minutën e 23-të të secilës pjesë, duke ngjitur fierakët në vendin e tretë me 24 pikë. Fitore 2-0 edhe për Gramozin, që mposhti në fushën e vet Skënderbeun falë golave të Oliverës dhe të Rustemit. Takimi i zhvilluar në Durrës mes Teutës dhe Flamurtarit përfundoi me fitoren 1-0 të vendasve, falë golit të shënuar nga mbrojtësi Dushku në minutën e 25-të të pjesës së dytë. Në pjesën e parë, vlonjatët humbën edhe një penallti me të njëjtin autor, Devis Memën. Takimi i fundit i zhvilluar ditën e mërkurë ishte ai mes Kastriotit dhe Shkumbinit, që përfundoi me fitoren 4-1 të skuadrës krutane. Kalari shënoi në minutën e 13-të për vendasit, ndërsa dyfishoi shifrat në minutën e 25-të Shala. Shkumbini shkurtoi me anë të Pashajt në minutën e 28-të, por krutanët realizuan edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë me autorë sulmuesit Pema e Abazaj. Java e 15-të e Superligës do të mbyllet me ndeshjen Besa-Tirana që luhet të enjten në orën 13.00.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)