Bregu: Prioritet plotësimi i rekomandimeve, opozita të votojë ligjet

Ministrja e Integrimit ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit
Debatet në komisionin Parlamentar të Integrimit, Bregu – Ballës: “I ke kënduar Enverit edhe kur ai vdiq”
Ashtu sikurse deklaroi edhe Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, socialistët refuzuan bashkëpunimin në plotësimin e një prej 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian. Në raportimin prej 2 orë e gjysmë që ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, bëri në komisionin parlamentar të Integrimit, socialistët nuk pranuan të paraqesin kandidaturën e tyre për Avokatin e Popullit, ndonëse znj.Bregu e përsëriti disa herë ftesën e mazhorancës për të bashkëpunuar në realizimin e 12 kërkesave të Brukselit
Një muaj para se të jepet Opinioni i radhës i Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të 12 rekomandimeve për statusin e vendit kandidat në BE, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Ministrja Bregu ftoi opozitën që pas një bojkoti të gjatë dhe me efekte negative në kriterin politik të Kopenhagenit, të japë prova për kontribut serioz në procesin më madhor të shqiptarëve, atë të integrimit. Sipas saj, ky kontribut mund të provohet së pari, me tryezën për reformën zgjedhore dhe të vijojë me miratimin e ligjeve më 3/5, pjesë e listës me 12 rekomandimet e KE-së. “Dialogu politik mbetet prioritet për plotësimin e rekomandimeve të BE dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Nëse do të ketë vullnet politik atëherë do të realizohet edhe reforma zgjedhore e cila është mjaft e rëndësishme për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme sipas standardeve europiane. Rekomandimi i parë fillon me parlamentin: të garantohet funksionimi i parlamentit mbi bazën e një dialogu politik të qëndrueshëm Mu mes të gjitha partive politike. Ka qenë rekomandimi më i diskutueshëm në çdo takim apo nga çdo organizëm ndërkombëtar. Ju e keni ndjerë vështirësinë e të mos qenit në parlament për më shumë se 2 vjet radhazi. Shpresoj shumë që sikurse tha dhe z Rama, strategjia e bojkotit të opozitës e përmbushi qëllimin e saj, pra bëri ç’kishte për të bërë, shpresoj që rikthimi, dhe këtë e them sinqerisht, të na mundësojë të gjithëve të merremi konkretisht me detyrimet e një procesi i cili është i gjatë i vështirë dhe që nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës qeverisëse”, u shpreh ministrja Bregu. Ministrja theksoi se mosfunksionimi i parlamentit solli ndikim negativ në raportin për Shqipërinë. Bregu tha se nëse PS bën taktika politike përgjigja do të jetë negative. Sipas saj, nuk ka më pretekst që PS të pengojë integrimin e vendit. Ministrja theksoi se detyrë e PS tashmë është të caktoje emrat për Avokatin e Popullit, Gjykatës së Lartë dhe emrat për anëtarët e Kushtetueses ndërsa vuri në dukje se mazhoranca është gati të plotësojë dhe rekomandimin ende të paplotësuar, atë të heqjes së imunitetit për deputetët. “I qëndrojmë ftesës për propozimin e një kandidature që të jetë e pëlqyeshme nga opozita. Ky nuk është rekomandim i paplotësuar, në rolin e Ombudsmanit është Florina Nuni, që sipas ligjit ka eksperiencën më të gjatë për të kryer këtë detyrë. Në momentin e parë që do të ketë një kandidaturë, ky rekomandim do të jetë i përmbushur plotësisht. Për sa i përket emërimit të anëtarëve të gjykatës së lartë dhe Kushtetueses, besoj që vendimi i gjykatës kushtetuese është një vendim që i hapi rrugë një zgjidhjeje, dhe s’duhet të jetë më objekt diskutimi mes nesh për aq kohë sa kemi zgjedhur të respektojmë dhe zbatojmë vendimet e gjykatave. Në lidhje me anëtarët e gjykatës kushtetuese, kemi të bëjmë me mekanizmin e rotacionit: një anëtar u votua dhe 3 të tjerë do të qëndrojnë në detyrë deri në 2013, pra me ndryshimin e 1/3 të anëtarëve sipas urdhrit kushtetues. Meqenëse ky mekanizëm është në fuqi, besoj që edhe ky rekomandim është i plotësuar”, tha ajo. Pas ministres Bregu, në Komisionin e Integrimit kanë reaguar deputetët e opozitës. Ermelinda Meksi kritikoi raportin e ministres duke vënë theksin se ishte i njëanshëm. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe deputeti socialist Taulant Balla. Deputeti socialist i kujtoi ministres raportin e OSBE-ODIHR ku sipas tij, raporti shprehet qartë se janë detyruar nëpunësit e administratës të dalin në mitingje. Bregu theksoi se kjo është shpifje e opozitës dhe një taktikë që PS e përdor për të bllokuar bisedimet. Balla vijoi me akuza ndaj ministres. Reagimi i ministres ishte i menjëhershëm duke iu drejtuar deputetit Balla se ai mbetet simpatizant i devotshëm i nomeklaturës komuniste të Enver Hoxhës. “Në rast se ju zoti Balla e keni ndarë mendjen për të mos votuar dhe të na hidhni hi syve me prezencën tuaj dhe vetëm për të bllokuar procesin besoj se këtë taktikë shumë e kanë kuptuar. Pastaj për sa i përket pjesës tjetër, ti zotëri, i cili ke kënduar këngët e xhaxhit Enver kur xhaxhi Enver kishte vdekur nuk pret njeri që të bësh hajër e të japësh kontribut në procesin e integrimit. Deduksionet e tua për raportin e OSBE-ODIHR, ti e paske gjetur që paska qenë ministrja në fjalë dhe pse se shkruan raporti, kam përshtypjen që kur flet shumë bën gabime shumë të mëdha, se nuk marrin lejen të gjithë dhe dorën tënde, pavarësisht se ndonjë njeri mund të ta varë për qëllime të tjera”, deklaroi më tej ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
...