E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja në Shqipëri kapin shifrën e një biliard dollarëve

20-09-2011 / Gazeta 55

SHBA vlerëson Shqipërinë si vend mik që ka bërë përparime të shkëlqyera


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli paraqiti dje përpara medias rezultatet e vizitës së saj disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar të merrte pjesë në punimet e Forumit Parlamentar për Demokraci, në Uashington, ndërsa ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Kongresit Amerikan dhe Departamentit të shtetit. Topalli vlerësoi se Forumi parlamentar për Demokraci është një nga forumet, i cili është ngritur gjatë viteve të fundit si një institucion, brenda së cilit marrin pjesë personalitetet më të rëndësishme në shkallë globale. “Ky Forum mblidhet me një qëllim të vetëm; për të forcuar parlamentarizmin dhe për të mbështetur të gjithë ata parlamente, të cilët kanë vullnetin e fortë dhe kanë për qëllim të ecin përpara në rrugën drejt forcimit të demokracisë, tha ajo, duke shtuar se, në botë nuk ekziston vetëm një model demokracie, pasi Historia ka treguar se, në mënyrë të veçantë në vende të ndryshme të botës, ka modele të ndryshme të demokracisë, por që të gjitha mbështeten në një sistem të caktuar vlerash universale”. Kryeparlamentarja Topalli tha se gjatë këtij forumi ka informuar të pranishmit të rreth demokracisë në Shqipëri, për mrekullinë dhe magjinë që liria ka bërë në Shqipërinë tonë. “Fola për rrugën 20 vjeçare gjatë së cilës Shqipëria jo vetëm që ka bërë të mundur përmes përpjekjeve, reformave, transformime të jashtëzakonshme në të gjitha fushat. Përmes përpjekjeve dhe reformave jemi bërë anëtarë të NATO-s. Ndërsa të gjithë kemi parasysh se, nga vendi më i izoluar në botë 20 vite përpara, sot jemi një vend, në të cilin qytetarët lëvizin të lirë dhe pa viza”, theksoi Topalli, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria është një vend lider në rajon për sa i takon investimeve të huaja direkte, duke arritur në vlerën e një biliard dollarëve, kur vetëm katër vite më parë kjo shifër ishte 256 milion dollarë. Duke u ndalur te takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë të Kongresit amerikan dhe Departamentit të Shtetit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se u diskutua “mbi procedurat parlamentare në Kongresin amerikan”. Sipas saj, “Kongresi amerikan është shkalla më e lartë e demokracisë dhe e transparencës maksimale që mund të ekzistojë në procedurat parlamentare dhe në votime, një model të cilin ne e shohim si një target drejt së cilit ne duhet të avancojmë. Jam shumë e gëzuar që stafi i ngushtë i kryetarit të Kongresit amerikan më premtoi që do të bëjë sa më shpejt të mundur që një grup i vogël deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë nga mazhoranca dhe opozita të vizitojë Kongresin amerikan, për të qenë vetë dëshmitarë, të procedurave të tyre parlamentare, të seancave Hearing në komisione të ndryshme parlamentare, të mënyrës së kontrollit, të fuqisë që Kongresi amerikan ka në jetën politike”, tha ajo. “Pata mundësinë që të takohem në Departamentin e Shtetit me Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, tha Topalli, i cili sipas saj, është një personalitet, një njohës i jashtëzakonshëm, jo vetëm i zhvillimeve politike në rajon, në Shqipëri, por edhe më tej”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›