“Lëvizja populiste e PS-së, për qëllime elektorale s’lehtëson të varfrit, por thellon pabarazinë”
PD kundër propozimeve të PS-së, për TVSH-në e mallrave ushqimore
Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima, i sheh propozimet që vijnë nga e majta për uljen e taksave të artikujve ushqimorë, si lëvizje populiste për qëllime elektorale. Një nga ekspertët më të mirë të mazhorancës për politikat fiskale, Florjon Mima mbron tezën se ulja e taksave të konsumit nuk lehtëson të varfrit, por një tjetër shtresë. “Ato që fitojnë më së shumti nga përshkallëzimi janë shtresat e pasura, pasi janë ato që konsumojnë më shumë produktet ushqimore për të cilat flasim”, u shpreh Mima në një komunikim të tij me mediat dje. Një tjetër argument, që sipas tij, kundërshton uljen e taksave, ka të bëjë me atë se si tregu e përcjell lehtësimin e barrës tek konsumatorët. “Në rast të një uljeje të themi të shkallës statutore të TVSH-së, nuk vërehet një ulje substanciale në të njëjtën masë e çmimeve, pra tregtarët punojnë me marzhet e fitimit të fiksuara tashmë. Kërkohet kohë e gjatë që biznesi shqiptar, njësoj si homologët e tij nëpër botë, të edukohet me marzh fitimi pak më të lartë, se sa marzhet që fitojnë bankat në investimet e kursimeve të popullatës”, tha Mima. Ish-zëvendësministër i Financave dhe një nga drejtuesit e reformës fiskale në mandatin e parë të demokratëve, Mima thotë se përshkallëzimi i TVSH-së do të rriste evazionin fiskal, duke i shkaktuar dëme shtetit. “Nëse qumështi për fëmijët do të kalonte tek shkalla e ulët, në doganë automatikisht edhe qumështi që përdoret për prodhimin e akulloreve që konsumohen nga të gjithë dhe konsiderohen me shkallen normale do të kalojë shpeshherë si qumësht për fëmijë”, theksoi deputeti demokrat, Mima. Partia Socialiste do kërkojë zyrtarisht në Kuvend heqjen e taksave për disa nga produktet më jetike dhe përgjysmimin e tyre mallrat e tjerë ushqimore. Nisma u bë publike nga deputetja Mimi Kodheli. Vitin e kaluar qeveria mblodhi 175 milionë dollarë Tatim mbi Vlerën e Shtuar vetëm nga ushqimet në import, faturë që paguhet e gjitha nga qytetarët në çmimin e produkteve
...