Izraeli duhet të pushojë së foluri e të nisë negociatat
Sikur të mos mjaftonte kriza në marrëdhëniet me Turqinë, përkeqësimi i marrëdhënieve me Egjiptin e Jordaninë si dhe gërryerja e mbështetjes në Evropë, zëdhënësit e qeverisë tani po përpiqen të mposhtin njëri-tjetrin në premtimet për të vazhduar pushtimin e territoreve. Ministri i Punëve të Jashtme, Avigdor Lieberman, kërcënoi të mërkurën se një vendim i OKB-së për të njohur shtetin palestinez “do të ketë pasoja të rënda”. Zëvendësi i tij, Danny Ayalon, bëri thirrje për aneksimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe për përshpejtimin e ndërtimit në koloni. Ofir Akunis, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Benjamin Netanjahu, nuk kënaqet me aneksimin e “blloqeve”; ai propozoi aplikimin e sovranitetit izraelit mbi të gjithë territorin. Shqetësimin lidhur me impaktin katastrofik që reagime të tilla të papërgjegjshme mund të kenë mbi stabilitetin rajonal, e shprehën këtu gjatë kësaj jave të dërguarit e posaçëm të Presidentit Obama, Dennis Ross dhe David Hale po aq sa edhe shefja e Marrëdhënieve me Jashtë e Bashkimit Evropian, Katherine Ashton. Të tre ishin angazhuar në një përpjekje të minutës së fundit për të arritur një para-marrëveshje që do të mundësonte rifillimin e negociatave direkte mes Izraelit dhe palestinezëve, në mënyrë që të reduktohej rreziku i shpërthimit të dhunës në këta territore. Teksa venin e vinin nga Ramallahu në Jerusalem, të dërguarit zbuluan se palët ishin të vendosura në qëndrimet e tyre. Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, mbahet fort pas kërkesës se bisedimet duhet të bazohen mbi fjalimin e Obamës të mbajtur me 19 maj (kufijtë e vitit 1967 me këmbime të rëna dakord në mënyrë reciproke) dhe një pauzë 90-ditore në ndërtimin e vendbanimeve. Netanjahu ngul këmbë se palestinezët duhet të pranojnë në princip të njohin shtetin e Izraelit si një komb-shtet të popullit hebre. Ai po ashtu refuzon kërkesën e Abas-it për ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve në kolonitë izraelite. As kriza me palestinezët në arenën ndërkombëtare e as rreziku se kjo mund të përkeqësohet në një konfrontim të dhunshëm rajonal, nuk janë dekrete të fatit. Në vend që të tendosë muskujt dhe të gufojë ide të rrezikshme, qeveria duhet të bashkëpunojë përzemërsisht me përfaqësuesit e kuartetit (OKB-SHBA-BE-RUSI) për të gjetur një zgjidhje krijuese që do t’i jepte fund përkeqësimit. “Vrasja” e procesit të Oslos, braktisja e zgjidhjes me dy shtete dhe përjetësimi i sundimit mbi miliona palestinezë do të vinte në rrezik ekzistencën e Izraelit si shtet hebre dhe demokratik.
...