Bregu: “Shqipëria, e 10-ta në botë për rritjen ekonomike”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, duke iu referuar një raporti të institutit “Global Insight”, u shpreh dje se Shqipëria renditet e para në Europë dhe e dhjeta në botë për rritjen ekonomike për vitin 2009. Megjithëse jemi në muajin e dytë të vitit 2009, sipas Bregut Shqipëria për këta dy muaj ka zënë vendin e parë në Europë për rritjen ekonomike. Kjo, sipas saj, ka ardhur si rezultat i politikave të suksesshme të qeverisë. “Është e rëndësishme për t’u theksuar se kjo rritje ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik si nafta apo gazi në tregun botëror, por ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rezultat i politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare”, - është shprehur Bregu.
22 Shkurt 2009