E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Shqipëria do të integrohet në BE në vitin 2012”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje, gjatë takimeve të zhvilluara në Itali, se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2012. Presidenti shqiptar ndodhet në Itali për të marrë pjesë në natën finale të Festivalit të këngës italiane të Sanremos, me ftesë të drejtorit artistik, Paolo Bonolis. “Brenda 2012-s, Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Reformat që po kryen vendi e japin këtë siguri. Pas një muaji, Shqipëria do të hyjë me të drejta të plota në NATO, gjë që do të thotë se vendi ofron të gjitha mundësitë ekonomike, por garanton edhe të drejta për të gjithë rajonin e Ballkanit”, - citojnë Presidentin shqiptar mediat italiane. Gjatë qëndrimit në Itali, Presidenti Topi ka zhvilluar bisedime në një atmosferë të ngrohtë e miqësore me Presidentin e Provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto; me Presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando; me Presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti; me Presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo, si dhe me kryetaren e Bashkisë së Xhenoas, Marta Vinçenci. Në këto takime është theksuar edhe një herë fryma e miqësisë shumë të mirë që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij. Kreu i shtetit u shpreh edhe në emër të mbarë popullit shqiptar se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore. Presidenti Topi vlerësoi angazhimin e autoriteteve të provincës së Xhenovas në integrimin dhe mbarëvajtjen e jetesës së shqiptarëve, që jetojnë e punojnë atje, duke theksuar se ata janë një urë lidhëse e fortë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të përzemërt edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare më të rëndësishme shqiptare në Itali që jeton në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi që arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë veta.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›