E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha dështoi për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar 24 orë drita”



Turi i Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste është zhvilluar dje në qytetin e Librazhdit. Në këtë takim ka marrë pjesë kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët socialistë, Leskaj dhe Balla. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama është përqendruar në keqqeverisjen dhe korrupsionin që është kthyer tashmë në sistem nga kryeministri Berisha, njeriu i cili u votua në 2005-n për luftën ndaj tij. “Asnjëherë papërgjegjshmëria dhe i pari i punëve të këtij vendi nuk kanë qenë më bashkë sesa sot. Asnjëherë paaftësia dhe i pari i qeverisë së këtij vendi nuk kanë qenë më të njehsuar sesa sot. Asnjëherë korrupsioni dhe kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot”, - ka thënë Rama. Fjala e kreut të PS-së është ndërprerë nga ikja e energjisë elektrike në sallë. Ikja e dritave ka shkaktuar një reagim të fortë të të pranishmëve në sallë, të cilët kanë shtuar me forcë thirrjet për ndryshim. Megjithatë, takimi me vullnetarët në këtë qytet nuk është ndërprerë edhe pas ikjes së energjisë elektrike, pjesëmarrësit kanë insistuar që takimi të vazhdojë. Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha se shkeli premtimin e tij për të siguruar 24 orë ujë dhe drita për shqiptarët. "Sot jemi 127 ditë nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie, e cila u votua me shumë premtime dhe një nga këto premtime ishte 24 orë drita, 24 orë ujë, por sot kur duhet të ishte mbajtur ky premtim dhe kur ne, në orën 4 pasdite, në një qytet jemi pa drita dhe kur të gjitha fshatrat e vendit kanë rregullisht mungesë dritash, nga 4 deri në 8 orë, Sali Berisha thotë e mbajtëm premtimin solemn: në Shqipëri nuk ka ndërprerje dhe ne i furnizojmë familjet shqiptare me 24 orë drita. Kurse qytetet e vogla, si Librazhdi, nuk quhen dhe nuk llogariten kur flitet për halle dhe probleme. Mjafton që të ketë drita në Tiranë dhe në dy a tre qytete të mëdha, dhe për ta kjo është një punë e kryer, ndërkohë që për ne nuk mund të ketë një Shqipëri europiane në Tiranë dhe një Shqipëri europiane mesjetare që jeton në fshat, apo në qytete si Librazhdi", - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›