Shqipëria 1 vit në NATO, Berisha: Ne, aleatët më të denjë të aleancës më të fortë politiko-ushtarake

Ceremoni jubilare me rastin e 1 Vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut
është mbajtur sot konferenca jubilare me rastin e 1 Vjetorit të Antaresimit të Shqiperisë në Tiranë. Shqipëria, shënoi zhvillimin më të madh diplomatik, përmes një kursi politik të shtjelluar dhe evident, për përmbushjen e një misioni mbarëkombëtar, të udhëhequr nga kryeministri i vendit Sali Berisha. Anëtarësimi i këij vendi ish-komunist në bllokun ushtarak më të fuqishëm në Botë bëri jehonë të madhe. Autoritetet shqiptare vlerësuan sot ditën historike për Shqipërinë, pas festës më të madhe kombëtare, atë të Pavarësisë. Në ceremoninë jubilare me rastin e 1 Vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nuk morën pjesë asnjë nga përfaqësuesit e opozitës
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në fjalën e tij me rastin e 1 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, se vendi ynë përmbushi një nga detyrimet më të mëdha të kombit, përmes reformave të thella dhe me përgjegjësi të plotë. “Anëtarësimi në NATO përbën ngjarjen më të madhe për kombin në fushën e sigurisë dhe shënon një epokë të re të kalimit nga mbijetesa, në ndërtimin e një të ardhme të sigurt mbi vlerat e lirisë. Përpjekjet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO zgjatën me vite, por mirënjohja i takon më së shumti SHBA-ve, konkretisht 2 presidentëve të fundit. Mirënjohje Bushit, i cili në vizitën e tij historike në Tiranë do garantonte që shqiptarët do anëtarësoheshin në NATO. Falenderoj Presidentin Obama që do mirëpriste dhe mbështeste anëtarësimin”, u shpreh kryeministri Berisha. Berisha deklaroi se “në një vit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, forcat e armatosura kanë njohur zhvillime të reja, kanë thelluar reformat në të gjitha fushat, kemi përmbushur me përgjegjësi të plotë, kompetencë të plotë, të gjitha misionet që u ndërmorën gjatë këtij viti”. “Kjo ishte një dëshmi e shkëlqyer e aftësive tona si një ushtri aleate e denjë e NATO-s”, tha kryeministri. Sipas kreut të qeverisë, anëtarësimi në NATO nxiti qeverinë për një seri reformash të rëndësishme në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Fjalë përshëndetëse në konferencën për NATO-n mbajti dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ministri tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk përbën fundin e procesit të reformimit të forcave të armatosura shqiptare, që përballen me sfida të reja. “Shqipëria do vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë, duke ndjekur politikën e dyerve të hapura për anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit në aleancë”, deklaroi ministri Imami. Ministria e Mbrojtjes është organizatorja e aktiviteteve, të cilat nisin sot, në orën 10:00, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, me një Konferencë Jubilare. Në këtë aktivitet morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zv/kryeministri dhe ministër i Jashtëm, z. Ilir Meta, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ushtarakë nga Shtabi i NATO-s në Tiranë dhe përfaqësues të misioneve që shërbejnë në vendin tonë, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.
...