E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skënderbej” duhet mbrojtur nga matrapazët e Edvinit

Përpjekja e kryebashkiakut për ta shndërruar sheshin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti në një oborr privat të kooperativës së ndërtuesve-matrapazë të Edvinit është bllokuar. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Kuvend se fati i sheshit “Skënderbej” është fati i kombit dhe se s’do lejohet përvetësimi i mijëra metra katrorëve, por do synohet që me një projekt të ri, ai të shndërrohet në një shesh të vërtetë të qytetarëve

Kryeministri Sali Berisha reagon në Kuvend përsa i takon çështjes së sheshit “Skënderbej”, duke garantuar se qeveria nuk do të lejojë kthimin e tij në oborre personale të 2-3 njerëzve të afërt të kryebashkiakut Edi Rama. Shefi i ekzekutivit deklaroi se bashkia duhet të pranojë kushtin e bashkëpunimit me qeverinë dhe për këtë gjithçka do të operohet në bazë të marrëveshjes. Kryeministri Berisha tha se është alarmues fakti i bllokimit të trafikut në shesh dhe njëherazi kërkoi nga bashkia garanci të plota për sa i takon një problemi tejet evident, siç është transporti në kryeqytet, duke i asistuar kështu edhe pajtimin e një kompanie serioze e cila duhet të bëjë një studim të mirëfilltë dhe të nxjerrë një rezultat konkret nëse projekti duhet të anojë nga këmbësorët apo transporti.

Kryeministri kërkoi që të mos bëhet politike me sheshin, ndërsa bashkia e Tiranës duhet të rishikojë edhe njëherë studimin urbanistik, nëse sheshi do të jetë për këmbësorë apo për makina. Për këtë, Berisha propozoi ndërmjetësimin e një kompanie serioze të specializuar në fushën e trafikut qytetas, për të marrë garanci të plota se nuk paralizon lëvizjen në të gjithë qytetin, porsa kohë sheshi është nyja lidhëse në shumë anë të kryeqytetit. “Nuk mund të pranoj që të kthehet sheshi “Skënderbej” në oborr të këtij apo atij. Sheshi duhet të marrë zgjidhjen më profesionale. Kjo që bëni ju këtu është e mjerueshme, sepse po mbroni interesat më të ngushta të 2 apo 3 personave. Sheshi është i shqiptarëve. Jam dakord që të bëhet këmbësorësh, por le të ketë edhe gjallërimin e tregut, të ketë librari, lokale, dyqane nga më të ndryshmet, instrumentet më të mira dëfryese. Jam këtu për bashkëpunim, por nga ana tjetër ligji do të zbatohet. Nuk ka asnjë tendencë për t’i marrë kompetenca bashkisë së Tiranës. Nëse do të jetë për këmbësorë, do të ketë një kusht, që të kthehet në avantazhin e tregut. Hapësirat janë të mjaftueshme. Dilni nga kutia dhe rrini në shesh. Kjo nuk është çështje politike, por bëhet fjalë për një interes madhor për qytetarët dhe miliona turistë që vijnë në Shqipëri. Ftoj bashkinë që të bëjmë investimin më madhor dhe ta inaugurojmë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, më 2012-n. T’i japim vendit veprën më të mrekullueshme që është ndërtuar ndonjëherë. Sheshi mund të ndërtohet vetëm në sajë të një bashkëpunimi Qeveri-Bashki. Duhet të biem dakord për tregun”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.

Lidhur me një bashkëpunim të mundshëm Qeveri-Bashki për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, kryeministri Berisha tha se Rama injoroi kërkesën e sinqertë dhe përdori sheshin si çështje kundërshtirash politike. “Pak ditë më parë, në interesin me të mirë të vendit, i bëra një thirrje Ramës, të bashkëpunojë me qeverinë. Ngarkova ministrin e Punëve Publike, për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë, në një gjendje që turpëron çdo institucion të këtij vendi. Dhjetëra vizitorë të huaj, më kanë kërkuar në zyrën time, se si e pranoni sheshin në atë gjendje. Por, edhe çdo qytetar shqiptar konsiston se ai shesh është dhjetëra herë më shumë në gjendje më të mjeruar sesa qendra e komunës Vithkuq, apo çdo qendre komune në çdo cep të vendit. Për t’i dhënë fund kësaj gjendje, unë i kërkova Rama të bashkëpunojë. Në vend të bashkëpunimit, u mor një vendim brutal dhe i papritur. Ftoi dy arkitektë nga studioja e Brukselit dhe vuri aty një slogan, duke nisur punimet. Jam sërish këtu për ta ftuar. Sheshi nuk mund të jetë çështje kundërshtish. Ai nuk mund të zgjidhet kurrë në botën e këtyre kundërshtive. Unë nuk e kam ftuar as për kapital politik dhe as për zemër të thyer. Sheshi është i qytetarëve. Fati i sheshit është fati i kombit. Pas kryeqytetit, sheshi është simboli më kryesor i tij, ndaj edhe gjithnjë problemi i sheshit qendror, është i komplikuar. Cila ka qenë fati i sheshit “Skënderbej”? Cili ishte paralufte dhe cili ishte sheshi edhe në vitet e para pas lufte? Sheshi ishte syri i vendit. Sheshi ishte kryeqendra e kryeqytetit. çfarë ndodhi në të? Në një paranojë të paprecedentë, sheshi iu rrafshua tregut. Ndërtuan një pallat që turpëron. U rrafshua katedralja. U ndalua lëvizja e qytetarëve. Goditja fatale ishte prishja e bashkisë dhe ndërtimi i Muzeut. Në të gjithë sheshin dhe Bulevardin kemi vetëm dy kafene. Njëra është te hotel Tirana dhe tjetra te Dy Kullat. Sheshi u zhvesh nga tregu. Tirana u shndërrua në qytetin e vetëm në botë, në shesh pa qytetarë. Pse Tirana ka shesh pa qytet? Sepse sheshi “Skënderbej” s’ka qytetarë”, deklaroi më tej, kryeministri i vendit.

Trafiku

Ajo që është shqetësuese dhe njëherazi dramatike, tha kryeministri është trafiku i qytetit, në një kohë kur sheshi është i tejmbushur nga veturat. Në bazë të deklaratave të kryebashkiakut, sheshi do të jetë për këmbësorë, kryeministri Berisha deklaroi se kjo tezë është jashtë çdo lloj arsyetimi, duke i dhënë kështu goditjen më fatale trafikut të Tiranës.

“2 vjet më parë kryeministri i Kuvajtit, më pyet: Z.Kryeministër si e gjykoni ju nëse ne i japim bashkisë së Tiranës një fond prej 10 milionë dollarësh? Me shumë kënaqësi ka qenë përgjigjja ime. Dhe me sa di unë, fondi është bërë disponibël. Por, në mënyrën më të përshpejtuar, thirrën arkitektët dhe nisën punimet. Dhe çfarë shohim? Një shesh që përfaqëson 100 pwr qind trafikun. I gjithë sheshi është i mbushur me vetura. Sesi do ta zgjidhje një segment që kalon nga hotel Peza deri te INSIG-u, me dy korsi, kjo është jashtë çdo lloj arsyetimi. Kjo është se pse nuk duhet të bëhet. I jepet goditja më fatale trafikut të Tiranës, i cili vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore. Aty nuk është bërë asnjë studim. Studime të tjera faktojnë krejtësisht të kundërtën. Imagjinoni të gjithë trafikun e sheshit të Tiranës do ta përballojë një rrugë me dy korsi. Nuk jemi këtu për të bërë politikë, por trafiku i Tiranës merr goditjen më fatale. Ka studime që faktojnë të kundërtën e asaj që thotë Edi Rama. Qeveria ka ligjet dhe format e saj të ndërhyrjes, por le t’ja lëmë marrëveshjes”, shtoi më tej shefi i ekzekutivit.

Zgjidhja

Kryeministri Berisha asistoi në pajtimin e një kompanie serioze të lehtësimit të trafikut, për të faktuar modelin zgjidhjes së projektit për këmbësorë apo edhe për transportin. Shefi i ekzekutivit i kërkoi bashkisë së Tiranës, të pranojë këtë sugjerim, si angazhimin më të mirë për ta kthyer sheshin “Skënderbej”, në një hapësirë model. “Le të marrim kompaninë më serioze të lehtësimit të trafikut. Le ta faktojë kjo kompani se cila është zgjidhja e këtij trafiku. Pasi të bëjmë studimin, në transparencë të plotë, të bëjmë përzgjedhjen nëse do të jetë këmbësorë apo trafik. Kam një problem kryesor, çështjen e trafikut. Pra, duhet të zgjidhim çështjen e trafikut. Jam dakord për këmbësorë dhe duhet të kthejmë tregun urgjentisht në shesh. Ta shndërrojmë sheshin, sërish në një shesh model. Shkoni në Vjenë, në “Stefan Platze”, i cili është një nga sheshet më të bukura dhe me lokalet më mbresëlënëse në Europë. Ftoj z.Rama, që në rast se sheshi e përjashton nga trafiku, pas një studimi të hollësisht, pasi të kemi marrë garanci të plota se trafiku do të jetë i lirë dhe pa bllokime, jam dakord që të mbetet këmbësor. Të studiohet se si mund të gjallërohet tregu, si mund t’i japim përparësi tregut. Qeveria është e gatshme të japë të gjithë ekspertizën e saj. Ka një akuzë publike se një arkitekt, djali i një miku tim, me kontribute në PD, është i lidhur me këtë studio. Por, përjashtimi i tregut nga sheshi, përjashtimi i trafikut nga sheshi, druaj shumë se studioja prestigjioze belge ra në kurthet dhe interesat e ngushta shqiptare. Unë po kërkoj sqarim edhe nga studioja, por nuk mund të pranoj që tregu të zhvishet nga çdo funksion, përveç mbledhjes së ujit të shiut dhe mbledhjes së 400 pemëve, është e patolerueshme. Garantoj bashkinë se qeveria do të mbështesë projektet. Zgjidhja për trafiku duhet të jetë e garantuar, le të jetë edhe e kushtueshme. Një problem që po na bëhet halë në sy, është trafiku, tani po themi se e bllokojmë sheshin dhe hapim një rrugë me dy kori nga hotel Peza deri te INSIG-u dhe e zgjidhim trafikun”... Jo, kjo nuk është zgjidhje. Bashkia të pranojë ofertën tonë”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›