Bregu flet hapur në Komisionin e Integrimit

Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu më në fund ka folur hapur mbi realizimin e 12 prioriteteve të Shqipërisë përcaktuar nga progres-raporti i Komisionit Evropian.
Bregu e cila deri tani ka hedhur të gjithë fajin për mos marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian tek opozita, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrimin është shprehur se vetëm 5 nga 12 prioritet kanë të bëjnë me ligjet dhe reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
Ajo u shpreh se 6 prioritet kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me zbatueshmërinë e vendimeve nga institucionet qeveritare.
Ministrja e Integrimit më tej gjatë raportimit para komisionit parlamentar ka nënvizuar se në janar do të publikohet një axhendë e re veprimi për plotësimin e 12 prioriteteve.
Arritja e paktit mes mazhorancës dhe opozitës për ndërmarrjen e reformave të përbashkëta ka intensifikuar punën e Ministrisë së Integrimit, duke qenë se shanset për plotësimin e 12 prioriteteve tashmë janë më të mëdha.
Tre ditë më parë u firmos në Tiranë marrëveshja e përbashkët e delegacionit shqiptar dhe atij europian për bashkëpunimin dhe për përmbushjen e 12 prioriteteve të BE, gjë e cila u arrit për herë të parë që prej vitit 2009.