Bregu letër opozitës për 12 rekomandimet e BE-së

Ministria e Integrimit Majlinda Bregu i ka dërguar ditën e sotme një letër opozitës përsa i takon 12 rekomandimeve të BE-së. Ndërkaq, në përmbajtjen e kësaj letre është bashkëpunimi mes palëve, opozitë-maxhorancë. Ja përmbajtja e letrës:
"Sikurse jeni në dijeni, opinioni i KE-së për Shqiperinë i dorëzuar në datën 9 nëntor 2010, u shoqërua me një grup prej 12 prioritetesh. Qeveria shqiptare ka përgatitur një plan veprimi për adresimin e këtyre prioriteteve, i cili u miratua nga Komiteti Ndërministror për Integrimin Europian më datë 31 janar 2011.
Në funksion të mbarëvajtjes së zbatimit të këtij plani veprimi dhe në përmbushje të detyrave tona të përbashkëta institucionale në kuadër të procesit të Integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, po ju përcjell planin e veprimit për plotësimin e Rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke ju ftuar që të punojmë së bashku për monitorimin e zbatimit të këtyre prioriteteve".
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka deklaruar se Shqipëria ka një problem madhor që lidhet me klasën politike.