E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu pret ministrin e Vetëqeverisjes lokale të Maqedonisë

Duke iu referuar projekteve konkrete të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të financuar nga Komponenti i II i fondeve të IPA-s që në total arrijnë në rreth 5 milionë euro, ministrja tha se fuqizimi i një rrjeti infrastrukturor rajonal me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve, do tё ndikojë nё proceset pozitive nё rajon, duke e bёrё atё mё tё siguritë, duke rritur dimensionin e tij gjeo-ekonomik, duke zgjeruar në përmasa të konsiderueshme tregun dhe duke rritur interesin për investime të huaja.

 “Siguria në sektorin e energjisë përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimi i rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike, do të rrisë rolin specifik të rajonit si një aktor me peshë dhe rëndësi për vetë të ardhmen e BE-së dhe garantimin e sigurisë së saj nga vartësia ndaj energjisë, por mbi të gjitha në aspektin e sigurisë, paqes dhe mirëqenies së vetë popujve të tij”, tha ministrja, e cila e vlerësoi bashkëpunimin në rajon si një kontribut konkret për integrimin e rajonit dhe inkurajoi shqiptarët kudo ku jetojnë, që të jenë faktor dhe promotor i integrimit euro-atlantik.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me Maqedoninë janë e do të mbeten në vazhdimësi një prioritet i patjetërsueshëm i politikës sonë të jashtme që konkretizohet nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës dhe konkurrues”, u shpreh më tej ministrja.

Ministri i vetëqeverisjes lokale të Maqedonisë Nevzat Bejta falënderoi ministren Bregu për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shkëmbimin e përvojës për sa i përket zbatimit të projekteve të financuara nga Komisioni Evropian nëpërmjet fondeve IPA, që sipas tij janë një element i rëndësishëm në rritjen e mirëqenies së gjithë rajonit. /Start/

                                                                                             2012-02-24 18:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›