E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu, sot raport në Kuvend për progres-raportin e 12 rekomandimet

TIRANE- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu është thirrur sot në një seancë dëgjimore nga komisioni parlamentar për integrimin "Për vlerësimin e progres-raportit 2010 me fokus 12 rekomandimet". Pak ditë më parë deputetë të Parlamentit Evropian, Hannes Svoboda dhe Josef Daul kanë kërkuar dialog dhe bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës shqiptare. Dy deputetët, përfaqësues të dy grupeve më të mëdha parlamentare në PE, kanë përshëndetur kthimin e opozitës në parlament. Mes të tjerash Svoboda paralajmëroi se "Komisioni do të shpallë opinionin e tij, por ky opinion mund të ndryshohet nëse ne shohim që në javët dhe muajt që vijnë ka një bashkëpunim të mirë midis të dyja palëve. Çështja mund të shkojë në Këshillin e Ministrave, duke iu referuar gjithsesi disa elementeve të raportit të Komisionit Europian, që janë ende kritike", - tha eurodeputeti. Edhe kryetari i partisë më të madhe në Parlamentin Europian konsideron se ka një shans të vërtetë për progresin e Shqipërisë. "Këshilli i Ministrave, Komisioni apo Parlamenti, ne kemi kërkuar të gjithë që demokracia të funksionojë në parlamentin shqiptar. Tani që duket se gjërat po funksionojnë, ne mund të avancojmë", - tha Jozef Daul. "Nëse statusi jepet para gjashtë muajve apo pas gjashtë muajve, ky nuk është fundi i botës për Shqipërinë", - sqaroi ai ndërsa përshëndeti kthimin e opozitës në Kuvend.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›