E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minoriteti, barometri i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi

TIRANE- Barometër i marrëdhënieve greko-shqiptare është statusi i minoritetit – kështu u shpreh zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke Delavekuras, i pyetur nga gazetarët pas vizitës së ministrit të jashtëm Lambrinidis në Tiranë. Zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme greke tha se “shpresojmë që të mund të shohim progres në ecurinë e reformave të Shqipërisë, sepse kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për të, por edhe për Greqinë, fqinjin e Shqipërisë.

Këto reforma përmbajnë elemente të rëndësishme edhe për minoritetin grek, elemente, që na interesojnë shumë. Pala shqiptare është e vetëdijshme se barometri në marrëdhëniet greko-shqiptare është gjendja e pakicave dhe mbrojtja e të drejtave të tyre dhe ne shpresojmë ta shohim këtë në kohën e ardhshme, por kriza e brendshme politike në Shqipëri në të vërtetë e minon këtë përpjekje".

Lidhur me vizitën e ministrit të jashtëm grek Lambrinidis në Shqipëri, zëdhënësi Delavekuras theksoi se “kjo vizitë ishte një iniciativë greke. Vizita e Lambrinidis në Tiranë ishte një mesazh shumë i fuqishëm drejtuar udhëheqjes politike dhe opinionit publik në Shqipëri, që ky vend mund të shkojë drejt një perspektive Evropiane. Por ishte edhe një mesazh për të theksuar përgjegjësitë që ka Shqipëria për të bërë hapat e nevojshme”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›