Bremeni “ndëshkon” Merkelin

Në landin federal Bremen, partia SPD dhe Të Gjelbrit me një shumicë votash të fituara ditën e dielë, mund të qeverisin edhe më tej së bashku.
Partia e kancelares së Gjermanisë Angela Merkel, CDU, në këto zgjedhje pësoi një humbje të madhe në landin më të vogël të Gjermanisë dhe tani rreshtohet si forcë politike pas të Gjelbërve.
Partia liberale, FDP, nuk përfaqësohet më në parlamentin e Bremenit, Të Majtët, me gjithë humbjet që patën, arritën të kalojnë pesë për qindëshin për të hyrë në parlament.
Politikanët socialdemokratë dhe të gjelbrit vlerësuan zgjedhjet si një sinjal i qartë për zgjedhjet e ardhshme në Berlin dhe për Bundestagun e ri.
Pas numërimit të fundit të votave, rezultatet paraprake flasin për një fitore të kryebashkiakut të Bremenit, Jens Bohrnsen, me 38,6 për qind, që tregon se ai ka arritur një fitore më të madhe se në vitin 2007.
Të gjelbrit kanë tubuar 22.4 për qind të votave, demokristianët 20,1 për qind, që do të thotë 5,6 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2007.