Shuplakë për Neuerin
Spekulimet rreth largimit të Manuel Neuerit nga Schalke 04 do të vinë si shuplakë në fytyrë për shumë tifozë të skuadrës gjermane, por portieri mori në fytyrë një të tillë të dielën.
25-vjeçari Neuer, i cili pritet të transferohet te rivali i Bundesligës Bayern Munich pas dy dekadave në Schalke, ishte duke parakaluar në një veturë gjatë paradës festive në Gelsenkirchen pas fitores 5-0 ndaj Duisburgut në finalen e Kupës së Gjermanisë.
Në xhirime të ndryshme amatore të publikuara të hënën, Neuer duket se përpiqet të përqafojë njërin prej mijëra tifozëve që gjendeshin në rrugë për të festuar fitoren, por një njeri, i cili mbante kapuç të zi, ia ‘ndezi’ një shuplakë.
Neuer dukej i habitur dhe u kthye për të biseduar me bashkëlojtarin Mathias Schober para se të vazhdonte kremtimin.
“Nuk e kisha të qartë. Këto gjëra nuk ndikojnë tek unë”, tha Neuer, për të përditshmen gjermane Bild.