E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda 2010-s, sistem elektronik adresash

11/12/2009  Basha: Do vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet ekonomike

Lohan: Zyrat e urbanistikës të shtojnë përpjekjet

TIRANE- Shqipëria brenda muajit gusht 2010 do të ketë një sistem modern evropian, elektronik të adresave të ndërlidhur me regjistrin kombëtar elektronik të gjendjes civile. Për çdo shtetas shqiptar që figuron në regjistrin kombëtar të gjendjes civile do të korrespondojë një adresë e saktë në regjistrin kombëtar elektronik të adresave”. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në konferencën për modernizimin e sistemit të adresave, organizuar në bashkëpunim me OSBE, ku u paraqitën ecuria e deritanishme e projektit dhe detyrat për t’u realizuar deri në përfundimin e plotë të tij. Basha siguroi se Ministria e Brendshme do të vërë në funksion të realizimit të këtij projekti të gjitha njohuritë, energjitë dhe financat e nevojshme në mënyrë që projekti të zbatohet në përputhje me praktikat më të mira në të gjithë Shqipërinë. Ministri Basha tha se nëpërmjet përgatitjes së gjithë infrastrukturës ligjore në më pak se një vit, gjatë vitit 2008 u arrit që në bashkëpunim me qeveritë vendore të emërtoheshin pjesët publike të territorit. Nën mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit projektit iu vunë në dispozicion materialet e fotografimit ajror të territorit, që zyrat e urbanistikës në njësitë e qeverisjes vendore të mundësojnë: Përditësimin elektronik të pjesëve të territorit me teknologji që lejojnë përditësimin dhe transmetimin elektronik të të dhënave; sistemet GIS, evidentimin e çdo qelize apo pjese të qenësishme të territorit, njësinë kujt i përket, pranë cilës pjesë publike ndodhet si dhe krijimin pranë çdo njësie vendore të regjistrit elektronik të adresave. Ndërkohë që Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë fjalës së tij në konferencë, shprehu vlerësimin për punën e deritanishme dhe theksoi nevojën e shtimit të përpjekjeve nga zyrat e urbanistikës në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore për të realizuar detyrat e mbetura deri në realizimin e plotë të projektit të modernizimit të sistemit të adresave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›