E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: Abuzimi me pronat, shkak paqartësia ligjore

10/12/2009  Tryezë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit

ILDKP: Shqetësim informaliteti dhe mungesa i regjistrit të pasurive

Mungesa e transparencës dhe e një baze të qartë ligjore për të përcaktuar të drejtat e pronës si për ambasadorin e OSBE-së, Robert Bosh, ashtu dhe për inspektorin e lartë të ILDKP-së, Adriatik Llalla, janë arsyet kyç që pengojnë ndalimin e praktikave korruptive. Të mbledhur rreth një tryeze në Ditën Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, së bashku dhe me përfaqësues të tjerë institucionesh dhe të shoqërisë civile, ata kanë ndarë shqetësimet dhe propozimet për zhdukjen e fenomenit. Ndërsa kreu i prezencës së OSBE-së ishte i drejtpërdrejtë në deklaratën se “korrupsioni mbeti mbizotërues në shumë sektorë të jetës në Shqipëri”, Llalla prezantoi problemet dhe kërkoi ndihmën e partnerëve të tjerë për këtë luftë.

Shqetësimet e ILDKP-së

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive e cilësi një sfidë madhore luftën ndaj korrupsionit, që shoqërohet nga vështirësi të mëdha. Llalla tha se, pavarësisht mbështetjes nga të gjitha institucionet, mundësitë e Inspektoratit të Lartë janë të kufizuara për shkak të informalitetit ekonomik. “Problemi më i madh në aktivitetin tonë të përditshëm është informaliteti i ekonomisë shqiptare, mungesa e regjistrave të plotë mbi pasuritë e paluajtshme dhe tjetërsimi i pasurive të krijuara në mënyrë abuzive tek emrat e personave të tjerë”, - theksoi ai. Në këtë rast ai kërkoi ndihmën e shoqërisë civile dhe të medies për të kryer investigime të pavarura mbi zyrtarët e dyshuar për përfshirje në situata korruptive.

Ambasadori

Fjala e ambasadorit nisi me anën negative të fenomenit, vijoi me përgëzimet për vendin tonë, që vitet e fundit ka ndërmarrë disa masa të guximshme kundër korrupsionit, dhe e përfundoi me çështjet më shqetësuese. “Për shkak të mungesës së transparencës dhe për shkak të një baze të paqartë ligjore për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, praktikat korruptive janë më të vështira për t’u ndaluar, duke penguar arritjen e qëllimit për krijimin e një tregu funksional të tokës. Shqetësim tjetër mbetet edhe transparenca e financimit të partive. KQZ-së i mungojnë instrumentet e duhura për hetimin e burimeve të financimit, si dhe mungon detyrimi për të raportuar dhurimet që vijnë nga sektori privat. Veç kësaj, angazhimi i institucioneve në luftën kundër korrupsionit shpesh nuk reflektohet në mënyrën e duhur për zbatimin konsekuent dhe të detyrueshëm të legjislacionit”, - theksoi Bosh. Për të lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. “Kohët e fundit kemi parë njëfarë mungese transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsion”, - tha ambasadori pasi përmendi vendin dhe rolin që duhet të ketë gjyqësori në raport me politikën dhe ligjin. Duke i ftuar palët për një debat serioz rreth arritjes së qëllimit për një shoqëri më transparente dhe llogaridhënëse, ai kërkoi të mos përdoret gjuhë e vrazhdë dhe gjuhë që përmban akuza të pabazuara.

Statistika të paraqitura nga ILDKP-ja në tryezën e rrumbullakët “Së bashku kundër korrupsionit”, organizuar nga ILDKP–OSBE-ja me organizatat joqeveritare në kuadër të Ditës Botërore Kundër Korrupsionit:

Konflikti i interesave

Gjatë periudhës janar–nëntor 2009 janë zgjidhur 155 raste e konflikt interesi në administratën publike, qendrore e vendore. Nga këto:

45 raste janë evidentuar gjatë kontrollit aritmetiko-logjik të kryer nga ILDKP-ja;

105 raste të tjera janë zgjidhur nga ILDKP-ja në bashkëpunim me institucionet e tjera publike, nga informacione të mbërritura në ILDKP nga publiku e media.

4 zyrtarë janë gjobitur pasi nuk kanë zgjidhur në mënyrën e duhur konfliktin e interesave.

Deklarimi i pasurive

Gjatë periudhës janar–nëntor 2009 janë:

- kallëzuar penalisht 15 raste për fshehje të pasurisë, nga të cilët:

9 raste për fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të pasurisë;

6 raste për refuzimin e deklarimit;

janë gjobitur 37 zyrtarë për vonesa në deklarim të interesave private (pasurisë).

Propozimi i drejtorit të pastrimit të parave

Doçi: DPPP-ja të shndërrohet në institucion ekzekutiv

Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi, ka bërë me dije se do t’i kërkojë Ministrisë së Financave, nga e cila varet, që t’i propozojë Kuvendit shndërrimin e institucionit të tij nga një institucion vetëm informues në institucion edhe ekzekutiv. Ky propozim atij i ishte servirur dikur nga deputetja e Partisë Socialiste Ermelinda Meksi, propozim të cilin sot kërkon që të shndërrohet në ligj për shkak të vështirësive që ka hasur DPPP-ja në bashkëpunimin me prokurorinë. “Në kuadrin e konkurrencës së shëndetshme mes institucioneve, ky propozim mendoj se duhet të merret parasysh, pasi, siç e përmenda edhe më lart, kemi 190 raste të denoncuara në prokuroi nga ne, por në shumë pak raste është respektuar ligji, sipas të cilit ne duhet të kemi një feed back. Pra, mendoj se çështja duhet të ndiqet deri në fund, pa u përzier me ato procedime që sigurisht i takojnë prokurorisë”, - tha Doçi. Dje në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, me mbështetjen e OSBE-së ILDKP-ja diskutoi në një takim të zgjeruar me përfaqësues të institucioneve kryesore të investigimit dhe organizatat joqeveritare për krijimin e strategjive mbi përmirësimin e imazhit publik të administratës shtetërore. Në takim përshëndeti edhe ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi, si dhe Arben Kraja e Altin Dumani, përkatësisht përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të njësisë Task-Forcë antikorrupsion në prokurorinë e Tiranës. Gjithashtu në emër të shoqërisë civile përshëndeti Lutfi Dervishi, përfaqësues i “Transparency International Albania”.

Task-Forca në Prokurori

Drejtuesi i njësisë Task-Forcë antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Kraja, deklaroi dje se problem kryesor për luftimin e korrupsionit te zyrtarët e lartë është pikërisht imuniteti që ata gëzojnë me Kushtetutë. Duke folur për bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit, ai deklaroi se “imuniteti i zyrtarëve të lartë dhe të drejtësisë mbetet një problem për të luftuar korrupsionin”. “Korrupsioni në nivele të larta duhet të luftohet, por për këtë imuniteti i zyrtarëve duhet të hiqet”, - tha ai. Duke marrë shembuj mbi luftën në korrupsionin në nivelet e poshtme të administratës, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme deklaroi se ka ardhur koha që të goditet korrupsioni në nivelet e larta. Ndërsa drejtuesi i njësisë Task-Forcë antikorrupsion në prokurorinë e Tiranës, Altin Dumani, deklaroi se nga dikasteri që ai drejton janë bërë procedime penale për zyrtarë të ndryshëm për mos

deklarimin e pasurisë. Në listën e zyrtarëve ai përmendi kategorinë e prokurorëve, gjyqtarëve, madje dhe të ambasadorëve.

Britania e Madhe

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ambasadorja e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Fiona McIlëham, e vuri theksin te nevojën e krijimit të një praktike bindëse dënimesh të rasteve të korrupsionit. “Progresraporti për vitin 2009 i Komisionit Europian për Shqipërinë flet për një ‘kulturë mosndëshkimi’ në jetën publike dhe nevojën për të krijuar një praktikë bindëse dënimesh të rasteve të korrupsionit. Të hënën ministrat e Jashtëm evropianë nënvizuan urgjencën e kësaj sfide. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e integrimit europian të Shqipërisë, por për vetë popullin shqiptar. Korrupsioni ka një kosto shumë të lartë edhe njerëzore”, - theksoi ajo. Ajo garantoi mbështetjen e qeverisë britanike ndaj autoriteteve shqiptare dhe shoqërisë civile në këtë luftë si një prioritet. “Mbretëria e Bashkuar e shikon luftimin e korrupsionit brenda institucioneve të zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë dhe drejtësinë, si tepër urgjente”, - përfundoi ambasadorja.

Shoqëria civile

Rastet e mungesës së funksionimit të institucioneve shqiptare në kuadër të transparencës u prezantuan nga përfaqësuesit e shoqërisë civilë, të cilët paraqitën edhe disa propozime konkrete në luftën kundër korrupsionit. Drejtuesi ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse “Qendra për zhvillimin dhe demokratizimin e institucioneve”, Ilir Aliaj, shtroi para të pranishmëve dy shqetësime: indiferenca e Kuvendit për të miratuar në seancë plenare (pavarësisht miratimit të tyre në komisione) amendimet që kjo OJF i ka bërë ligjit për të drejtën e informimit dhe mungesën e transparencës nga gjykatat për informacione zyrtare. “Në nëntë gjykata kemi kërkuar informacion mbi karburantin që shpenzon shoferi i kryetarit, dhe jo vetëm që nuk kemi marrë përgjigje, por edhe jemi kërcënuar në ndonjë rast”, - tha Alia. Ndërsa drejtuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, propozoi që në listën e subjekteve që kanë detyrimin të deklarojnë pasuritë e tyre të përfshihen edhe editoret e medieve. Ndërsa “Mjaft” i ka kërkuar ILDKP-së të investigojë deklaratat e pasurive të pesë gjyqtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›