E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda 3-mujorit në gjykatë të gjitha dosjet

08/02/2010  Flet prokurori Elvin Gokaj: Në përfundim çështjet që bënë bujë në fund të vitit të shkuar
ELBASAN- Edhe për këtë vit prioritet i Prokurorisë së Elbasanit do të mbetet lufta kundër korrupsionit. Drejtuesi i Prokurorisë Elvin Gokaj u shpreh se në qendër të vëmendjes do të jenë hetimet e rasteve për korrupsion dhe vënia para përgjegjësisë e nëpunësve dhe pushtetarëve të korruptuar. “Kemi në dorë dosjet e arrestimeve për abuzime që kryem gjatë vitit të kaluar dhe së shpejti do t’i drejtohemi gjykatës. Gjatë kësaj periudhe kemi grumbulluar prova dhe fakte që i implikojnë ata në këtë vepër penale. Dosjet e “Darfos”, mjekëve dhe policëve janë pothuaj në përfundim”. Elvin Gokaj tha se dosjet e të akuzuarve për korrupsion do të shkojnë në gjykatë brenda tremujorit të parë të këtij viti. Por mjaft prej tyre ndodhen në arrest shtëpie sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit në Durrës. Kështu pritet të përfundojnë në gjykatë, dosja për efektivat e policisë, dosja e mjekëve të arrestuar për korrupsion, dosja “Darfo” ku u arrestua Eduard Belegu, këshilltar pranë Ministrisë së Energjetikës. Por gjithashtu pritet që të ketë arrestime të bujshme në njësitë vendore për korrupsion gjithashtu ka hetime në hipotekë dhe në tatime. Sipas Gokajt, Prokuroria po mbledh provat e nevojshme dhe brenda një kohe të shkurtër do të bëhen edhe arrestime për emra të njohur.
Kontrolli
Ministria e Drejtësisë ka dërguar një ekip kontrolli në Prokurorinë e Elbasanit. Specialistë të kësaj ministrie janë duke verifikuar dosje penale, procedurat e ndjekura në hetime nga prokurorët, zbatimin e ligjit, Kodit Penal dhe të Procedurës Civile etj. Nën sitën e ministrisë kanë kaluar gjithë prokurorët e Elbasanit. Deri më tani nuk bëhet e ditur nëse janë konstatuar shkelje apo jo. I pyetur për këtë qëllim drejtuesi i Prokurorisë u shpreh se “është e vërtetë që Ministria e Drejtësisë po kontrollon institucionin tonë. Gjatë dy viteve të fundit Prokuroria e Elbasanit ka pasur rezultate mjaft të larta. Janë propozuar masa të rrepta dënimi për trafikantë, kriminelë, vrasës dhe hajdutë. Por mes tyre veçojmë dosjet për korrupsion. Asnjëherë më parë Prokuroria e Elbasanit nuk kishte kryer aq arrestime për korrupsion”. Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ky kontroll është një procedurë normale që ndiqet vazhdimisht dhe ka si synim të rrisë transparencën e mbi të gjitha të luftojë rastet e abuzimeve dhe korrupsionit edhe në radhët e Prokurorisë dhe gjyqësorit. Kjo kërkesë është ngritur me të madhe nga Këshilli i Evropës dhe është edhe kusht për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE. Prokuroria dhe gjykata po përgatiten për analizat vjetore. Pritet që gjatë analizës së gjykatës javën e ardhshme të jetë i pranishëm edhe nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu. Gjatë vitit 2009 Prokuroria e rrethit gjyqësor në Elbasan ka përballuar 1937 procedime penale me 455 të pandehur dhe 235 të arrestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›